Milano ka qenë metropoli i parë i goditur rëndë në Evropë nga pandemia e koronavirusit, dhe ende nuk e ka marrë veten, duke numëruar përditë qindra të vdekur.
Por kryeqendra e veriut të Italisë, dhe “motori” ekonomik i saj, ka filluar të mendojë për përditshmërinë e banorëve të saj pas valës së parë të emergjencës, kur terapitë intensive nuk do të jenë plot, por ku rreziku se mund të mbushen sërish do të jetë ende i lartë.
Një periudhë që mund të zgjasë gjatë, deri sa të gjendet një kurë ose vaksinë efektive, por që për disa kategori si të moshuarit dhe personat me probleme të theksuara shëndetësore, mund të ndryshojë përgjithmonë zakonet.
Për këtë arsyeje, administrata bashkiake e Milanos po punon për të ndryshuar ose adaptuar një pjesë të mirë të rrugëve në qendër dhe jo vetëm, si dhe funksionimin e transportit publik.
Rrugët do pësojnë ndryshimin më të madh, aty ku të gjitha trotuaret do të zgjerohen për të shmangur mbipopullimin e tyre, si dhe një rrjet prej 35 kilometrash do t’i kushtohet vetëm biçikletave dhe këmbësorëve.
Edhe në metro dhe autobusë, do të ketë kontrolle elektronike që nuk do të lejojnë tejmbushje të vagonëve, si dhe udhëzime për distancën që duhet mbajtur.
Vendimi milanez u përshëndet edhe nga aktivistja Greta Thunberg në një nga postimet e saj të rralla në Twitter, që cilësoi projektin si “një nga më ambiciozët në Evropë”. /Gazeta Sinjali/