Naim Gashi, mësimdhënësi 47-vjeçar nga fshatin Sapniq i Rahovecit dyshohet se është hedhur sot nga “Ura e Fshajtë”, raporton Gazeta Sinjali.
Gazeta Sinjali mëson se ai punonte si mësues i ciklit të ulët në shkollën “Sapniqi” në këtë fshat që 10 vjet dhe se tani ka qenë duke punuar me klasën e parë.
Drejtori i kësaj shkolle, Xhafer Gashi, i tha sot Gazetës Sinjali se mësuesi kishte mbajtur tri orë mësimore sot në shkollë, ishte përshëndetur me kolegët dhe kishte shkuar me veturë te “Ura e Fshajtë”, nga ku ishte hedhur në lum.
Gazeta Sinjali mëson se Naimi është baba i tre fëmijëve, dy djemve dhe një vajze.
Burime të gazetës brenda policisë kanë bërë të ditur se njëri nga djemtë ka deklaruar në polici se familja nuk ka qenë në dijeni se ai ka pasur ndonjë borxh ose ndonjë problem me dikë.
Ndërkaq, drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Rahovec, Avni Morina, i tha Gazetës Sinjali se mësimdhënësit e kanë përshkruar Naimin si tip të mbyllur, të tërhequr nga të tjerët.
Madje, Morina tha se mësuesi mund të ketë qenë edhe në depresion.
“Mësimdhënësit po e përshkruajnë si tip i mbyllur, i tërhequr nga të tjerët dhe siç duket ka qenë në depresion, shkaqet e të cilit nuk i di”, tha Morina.
Naimi nuk është gjetur akoma dhe sipas FSK-së operacioni për kërkim-shpëtimin e tij nuk do të fillojë sonte, për shkak të kushteve atmosferike dhe temperaturave të ulëta të ujit.
Gazeta Sinjali raportoi se mësuesi e kishte parkuar veturën skaj urës dhe pasi që kishte dalë jashtë ishte hedhur nga ura. Në veturën e parkuar 47-vjeçari dyshohet se e ka lënë një letër./Gazeta Sinjali/