image Ministrja Bajrami tregon kur dhe si do të fillojë të zhvillohet mësimi nga interneti e televizioni

Kosovë

Plani/ Ministrja Bajrami tregon kur dhe si do të fillojë të zhvillohet mësimi nga interneti e televizioni

news image

Situata e krijuar nga përhapja e koronavirusit që të premten mbërriti zyrtarisht në Kosovë, ka pezulluar aktivitete të shumta, duke shtyer qeverinë që në masat parandaluese t’i mbyllë edhe të gjitha shkollat në vend.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami, është e vetëdijshme se kjo situatë pritet të zgjasë edhe pas 27 marsit, datën deri kur është pezulluar procesi mësimor.

Kësisoj, në një prononcim për Gazetën Sinjali, ministrja Bajrami ka treguar planin e ministrisë që drejton për t’u përballur me situatën e krijuar, duke mundësuar që edhe në këtë gjendje nxënësit të angazhohen dhe të mësojnë. Ideja aktuale është që nxënësve t’u transmetohet materiali mësimor përmes platformave online dhe përmes Radio Televizionit të Kosovës.

“MASHTI është duke ndërmarrë të gjitha aktivitetet në mënyrë që me qenë në gjendje që pas disa ditëve me ofru mësim online. Ne e kemi parasysh se tekstet nxënësit i kanë nëpër shtëpia. Do të jepen instruksione të qarta. Jemi duke mendu përmes platformave online, por gjithashtu edhe përmes Radio Televizionit të Kosovës të ofrojmë diçka në mënyrë që mësimi të bëhet i qasshëm për të gjithë, për ata që kanë pajisje smart dhe ata që nuk kanë, për ata që kanë internet dhe ata që nuk kanë”, ka thënë ministrja Bajrami.

Për ta bërë sa më të efektiv transmetimin e mësimit te nxënësit dhe sa më maksimale mësimnxënien, MASHTI do të përpilojë edhe instruksione për prindërit, mësuesit e nxënësit.

“Tani ta kemi parasysh, kjo është vështirë me arritë efikasitetin 100% por në kushtet në të cilat jemi, jemi të detyruar të ofrojmë diçka e cila në njëfarë forme i mbanë nxënësit të angazhuar. Tani situata çfare është, e dimë që njëri prind është në shtëpi. Ne kërkojmë dhe faktikisht dalin instruksione të qarta edhe për prindë, edhe për nxënës, edhe për mësuesit në ditët në vijim”, ka treguar ministrja.

Për ta realizuar këtë formë mësimi, MASHTI po përballet me vështirësi, pasi duhet të krijojë çdo gjë nga fillimi dhe

“Është tepër sfiduese për ne për shak se duhet të fillojmë nga zero. Domethënë nuk kemi përmbajtje. Ka disa platforma private, ka edhe një platformë që para 3-4 viteve është bërë nga ana e donatorëve dhe është dorëzu në Ministrinë e Administratës Publike por e cila në fakt nuk përmbanë asgjë. Do të thotë, në aspektin e përmbajtjes duhet të krijojmë pothajse çdo gjë nga zero. Po ashtu jemi duke bisedu me operatorët privatë të cilët kanë përmbajtje dhe në anën tjetër me disa operatorë të tjerë të cilët po ofrojnë platforma dhe infrastrukturën komplet falas për Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit. Disa kompani kanë ofru edhe studiot e veta”.

Kjo mënyrë e mësimit e cila pritet të aplikohet për herë parë në Kosovë, do të nis fillimisht me nxënësit e niveleve të ulëta.

“Jemi duke punu intensivisht dhe besoj që brenda disa ditëve veç do të fillojmë me disa nivele. Sigurisht njëherë do të fillojmë prej klasës së parë deri te klasa e pestë e mandej edhe me nivelet tjera sepse situata është e paparishikueshme dhe askush s’e di sa do të zgjasë” ka thënë ministrja Bajrami.

Për shkak të 5 rasteve të konfirmuara me koronavirus deri tash në Kosovë, me vendim të qeverisë, Komuna e Klinës, Vitisë e Malishevës janë izoluar për në mënyrë që të parandalohet përhapja e pandemisë nga rastet që dolën nga këto vende. /Gazeta Sinjali/