image Merr fund ‘koalicioni i shpresës’, deputetët e Kuvendit e rrëzojnë Albin Kurtin

Kosovë

Merr fund ‘koalicioni i shpresës’, deputetët e Kuvendit e rrëzojnë Albin Kurtin

news image

Albin Kurti do të hyjë në historinë politike të Kosovës si kryeministri që mbajti më së paku këtë post. Rrëzimi i Kurtit erdhi vetëm 50 ditë pasi formoi Qeverinë që partner të koalicionit kishte Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Sonte me votat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, që në numër të pranishëm ishin 117 deputetë, morri fund koalicioni LVV-LDK që shumë kush e pa si ‘koalicion të shpresës’, shkruan Gazeta Sinjali.

Me vota 82 vota për, 32 kundër dhe 1 abstenim, kaloi mocioni i mosbesimit pas më shumë se 10 orë punime në seancë.

Seanca e Kuvendit u mbajt në kushte të jashtëzakonshme për shkak të pandemisë e cila është përhapur edhe në Kosovë, si pasojë e së cilës ka vdekur një person dhe 71 të tjerë janë të infektuar. Dy nga të infektuarit janë duke u shëruar kanë konfrimuar nga IKShPK.

Mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti u inicua nga Lidhja Demokratike e Kosovës pas shkarkimit të Agim Veliut nga posti i ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike. Por, sipas Kurtit kjo nuk ishte arsyeja e shkarkimit të tij.

Në fillim të seancës, Albin Kurti, iu drejtua qytetarëve dhe deputetëve ku foli për punët e bëra gjatë qeverisjes 50 ditëshe.

Ndër të tjera ai u shpreh i bindur se ka marrëveshje të gatshme me Serbinë.

“Mua nuk më dhimbset kjo qeveri, e aq më pak vetja. Më dhimbsen qytetarët, po e lënë popullin pa qeveri, në javën më të rëndësishme në një menaxhim shembull edhe për vendet e rajonit”, tha Kurti ndër të tjera.

Kurti i dërgoi mesazhe Agim Veliut dhe presidentit Hashim Thaçi, për këtë të fundit zbuloi detaje edhe nga takimi që kishin rreth dy javë më parë.

“Me mua kryeminsitër nuk shpallet gjendje e jashtëzakonshme pa u krijuar gjendja e jashtëzakonshme”, tha Kurti kur fliste për presidentin Thaçi.

Tensione e replika ka pasur edhe sot mes kryeministrit dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Poashtu Kurti replikoi edhe me deputetin e AAK-së Daut Haradinajn, për taksën 100% ndaj produkteve serbe dhe boshnjake, të cilit i tha “ju në fund e lëshoni bajrakun për karrige”.

Repilka e kundër-replika pati edhe mes deputetëve që i përkasin partive në koalicionin që qeverisën vendin bashkë për 50 ditë.

Kundër mocionit u shpreh dhe votoi kundër kryeparlamentarja qe vjen nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani.

“Asnjë rënie nuk është e përhershme dhe asnjë betejë nuk është e pamundur”, tha Osmani ndër të tjera.

Vlen të ceket se gjatë periudhës së tij si kryeministër Albin Kurti u përball me opozitë të fortë.

Lëvizja Vetëvendosje për herë të parë ka dalë e para në zgjedhjet nacionale të datës 6 tetor 2019, rezultat ky që ndryshoi komplet skenën politike kosovare. /Gazeta Sinjali/