image Merkel marrëveshje të fshehtë me Putin për bllokimin e refugjatëve afganë?

Botë

Merkel marrëveshje të fshehtë me Putin për bllokimin e refugjatëve afganë?

news image

Vetëm pak ditë pas takimit të shumë përfolur mes presidentit Vladimir Putin dhe kancelares Angela Merkel, Ukraina pretendon se Gjermania bëri një marrëveshje me Rusinë për refugjatët afganë.

Sipas Ukrainës, Putin i kërkoi Gjermanisë të anulonte pjesëmarrjen në samitin e fundit në Krime, duke i premtuar se do të bindë talebanët të mbajnë nën kontroll refugjatët afganë të dëshpëruar për të lënë vendin. Deri më tani, zyrtartët e BE-së nuk kanë pranuar të komentojnë.

“Presidenti rus Vladimir Putin kërkoi Merkelit anulimin e pjesëmarrjes së ministrit të jashtëm gjerman Maas nga Platforma e Krimesë dhe ajo iu bind dëshirave të tij,” tha një burim i qeverisë ukrainase për EUobserver.

Edhe pse nuk ka pasur konfirmime zyrtare, Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas nuk pranoi të shkonte në Kiev në minutën e fundit.

Sipas qeverisë ukrainase, Merkel i ka kërkuar Putin të punojë me talebanët për përmbajtjen e fluksit të refugjatëve afganë brenda kufijve, në mënyrë që ata mos të nisen drejt Evropës.

“Ne kemi dëgjuar gjithashtu se, në Moskë, Putini e bindi Merkelin për ndikimin që kishte tek talebanët, duke i thënë se Rusia do të ishte faktor në përcaktimin e numrit të emigrantëve nga Afganistani në Evropë, veçanërisht në Gjermani,” tha burimi.

Rusia, në të njëjtën ditë, gjithashtu futi në listën e zezë ministrin e jashtëm të Ukrainës, Dmytro Kuleba, për shkak të samitit të Krimesë. “Sanksionimi i një ministri të jashtëm është jashtëzakonisht i rrallë”, në aspektin e diplomacisë ndërkombëtare, vuri në dukje zyrtari ukrainas.

Maas duhej të merrte pjesë në Platformën e Krimesë në Kiev të hënën dhe të martën për të shfaqur rezistencën e BE ndaj pushtimit të gadishullit ukrainas.

Por, Maas u tërhoq në minutën e fundit, duke përmendur nevojën për t’u përqendruar në evakuimet e Afganistanit, me Gjermaninë që dërgoi ministrin e saj të ekonomisë dhe energjisë, Peter Altmaier.

Një diplomat i BE-së gjithashtu hodhi poshtë pretendimet e Ukrainës për një marrëveshje Merkel-Putin.

“Duket si një komplot kundër Ukrainës,” tha ai për EUobserver.

Fakti që Merkel shkoi për në Rusi para se të shkonte në Ukrainë dhe fakti që dërgoi Altmaier, padyshim ngjalli një atmosferë negative në Kiev, vuri në dukje diplomati i BE -së. Aleatët e tjerë të Ukrainës dërguan presidentë, kryeministra, ministra të jashtëm ose të mbrojtjes në samitin e Krimesë, sepse okupimi i Krimesë nuk është çështje e ministrave të energjisë”, tha ai.

Altmaier, është gjithashtu i lidhur me një agjendë pro-ruse në Berlin, sepse ai është një mbështetës i madh i gazsjellësit Nord Stream 2 nga Rusia në Gjermani, i cili dëmton Ukrainën duke nxjerrë jashtë loje sistemin e saj të tranzitit të gazit.

“Ishte e pakuptimtë që Altmaier të shkonte (në Kiev) dhe dukej si një provokim,” tha burimi i BE -së.

“Por, Gjermania ka një politikë pro-ruse për më shumë se 30 vjet dhe asgjë nuk ka ndryshuar me të vërtetë,” tha ai.

Megjithatë, është e paqartë nëse Putini është në gjendje të shfrytëzojë krizën në Afganistan për t’i bërë presion udhëheqësve të BE-së për të bërë marrëveshje.

Për diplomatin e BE-së, Rusia dhe Bjellorusia, së bashku, ishin përpjekur të përkeqësonin frikën e BE-së mbi imigrimin duke shtyrë kohët e fundit mijëra azilkërkues arabë dhe afrikanë në kufirin mes Bjellorusisë, Lituanisë dhe Polonisë.

“Ky duket si një operacion i përbashkët Bjellorusi-Rusi,” tha ai.

Çfarë qëndrimi po mban Rusia ndaj talebanëve?

Një ditë pas rënies së qeverisë afgane, i dërguari special i presidentet rus në Afgansitan, tha se Rusia nuk i konsideron talebanët një kërcënim për Azinë Qendrore.

Rusia ka qenë gjithnjë në kontakt të vazhdueshëm me zyrtarët talebanë përmes ambasadës së saj në Kabul dhe është përfolur shpesh për furnizimin e tyre me armatime.

Ambasada ruse dhe ajo kineze ishin të vetmet ku talebanët vendosën roje në ambasadën pasi pushtuan Kabulin, në mënyrë që të ofronin sigurinë e diplomatëve.

Kabulov tha se udhëheqja talebane ka treguar prej kohësh se është më mirëkuptuese sesa “qeveria kukull” e mëparshme e Afganistanit, duke vënë në dukje se Rusia është gati për çdo ndryshim dhe se shpreson një zhvillim më të favorshëm për qeverinë dhe aleatët e saj.

Së fundmi, sipas një deklaratë të Ministrisë së  Jashtme ruse, Moska ka premtuar njohjen e qeverisë së talebanëve duke thënë se shpreson që Afganistani do të respektojë të drejtat themelore të njeriut.

/GazetaSinjali/