Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, sot gjatë ditës, ka publikuar vendimin përmes së cilit ka anuluar të gjitha fletëvotimet e dorëzuara përmes postës për rundin e dytë të zgjedhjeve lokale për kryetar të komunës së Dragashit.
PZAP-i ka urdhëruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që fletëvotimet e anuluara të mos i përfshijë në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve, që u mbajtën më 14 nëntor.
Mirëpo, Bekir Latifi, një qytetar i kësaj komune që ka votuar përmes postës nga shteti i Austrisë, ka reaguar ndaj këtij vendimi. Në rrjetin social Facebook, ai ka shkruar se vota e tij nuk është e manipuluar dhe se ai është i gatshëm që të përballet me çdo gjë për të dëshmuar këtë.
“Pas kontestimit të votave në komunën tonë, këtu po e postoj deklaratën time, gjë që vërteton të kundërtën e asaj që po qarkullon në mediat tona pas vendimit të PZAP-së. Gjithashtu, për të vërtetuar këtë, kam ardhur edhe fizikisht në vendlindje dhe jam i gatshëm të ballafaqohem me çdo gjë, për të treguar se vota ime, dhe votat e familjarëve e shoqërisë sime janë të pa manipuluara nga askush”, ka shkruar ai.
Vendimi i PZAP-së erdhi pas ankesës së kandidatit të PDK-së për kryetar të Dragashit, Shaban Shabani, se në balotazh ka pasur manipulim të votave të cilat sipas tij, kanë cenuar integritetin e procesit zgjedhor, duke devijuar vullnetin e shumicës së zgjedhësve.
Sipas rezultateve preliminare të së dielës nga KQZ-ja, në Dragash printe Shaban Shabani i PDK-së me 5.648 vota, 47 më shumë se kandidati i LDK-së, Bexhet Xheladini.
Mirëpo, pas numërimit të votave nga diaspora, Xheladini kishte marrë 244 vota, ndërsa Shabani vetëm 54, duke bërë që rezultati të përmbyset.