Me një ngjarje jo fort të zakontë janë përballur zyrtarët policorë në Pejë, të cilët kanë pranuar telefonatë nga një kosovar i cili jeton dhe vepron në shtetin e Suedisë, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se mërgimtari nga Suedia dyshohet se ka ofenduar policët në Pejë, duke i sharë ata me fjalë të rënda.
Përpos kësaj, ai nëpërmjet një llogarie false në rrjetin social Facebook, ka bërë komente në profilin e një zyrtari policor, duke e akuzuar se i njëjti ka shpifur në një kontest gjyqësor për t’i dalë në mbrojtje prokurores së rastit.
Ndër të tjera, i dyshuari në komentin e tij kishte paralajmëruar se nëse u ndodh diçka atij apo familjarëve të vet, fajtorë do jenë prokurorja dhe dy zyrtarët policorë.
Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Ngacmim’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të sigurohet prezenca e të dyshuarit në stacion policor për intervistim.