Mbrojtësi i Kosovës, Amir Rrahmani, pritet që shumë shpejt t’i bashkohet skuadrës së Napolit.
Për herë të parë arritjen zyrtare të marrëveshjes mes mbrojtësit të Veronës dhe Napolit e zbuloi menaxheri i tij, Ardian Aliaj.
“Është vetëm ana teknike që ka mbetur për t’u mbyllur. Napoli e ndjek prej kohësh dhe le të themi se ishte proces tremujor që erdhëm deri këtu sot. Mendojmë ta finalizojmë zyrtarisht javën tjetër, por mund të them se Rrahmani është një lojtar i Napolit”
Një marrëveshje e tëra shqiptare, me ish futbollistin e kombëtares, që i veshur tashmë me kostumin e menaxherit arrin të kryejë një prej lëvizjeve më të rëndësishme në tregun e merkatos së Serisë A, që për fushën e menaxhimit mund të jetë pak a shumë e krahasueshme me golin e shënuar prej tij në 2004-ën ndaj Greqisë. Për Sport Neës, Aliaj zbuloi dhe vështirësitë në arritjen e kësaj lëvizjeje dhe disa prej detajeve të kontratës.
“Të vish deri në këtë nivel që Napoli të hedhë sytë për ty, është kënaqësi për lojtarin dhe për mua si menaxher. Suksesin ndoshta nuk e prisnim kam shpejt, por është rrugë e vështirë. Rrahmani do të jetë zyrtarisht i Napolit nga janari, por do të vazhdojë në huazim te Verona deri në fund të sezonit”.
“Kontrata është 5-vjeçare, lojtari është i kënaqur, kushtet janë optimale. Në të gjithë aspektet jemi të gjithë të kënaqur. Verona sidomos është e kënaqur që e bleu lojtarin 2 milionë euro dhe e shiti gati 15 milionë euro pas vetëm 3 muajsh”, ka thënë ai.