image Mungon Dardan Gashi, shtyhet gjykimi në rastin e njohur si “Afera e hidrocentraleve”

Drejtësi

Mungon Dardan Gashi, shtyhet gjykimi në rastin e njohur si “Afera e hidrocentraleve”

news image

Mungesa e të akuzuarit Dardan Gashi u bë shkak që të shtyhet seanca e së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin e njohur si “Afera e Hidrocentraleve”.

Katër ish-ministrat e Qeverisë Thaçi 2, Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lila, Dardan Gashi dhe Nenad Rashiq po akuzohen nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) se kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare, me rastin e privatizimit të distribucionit të shpërndarjes së Korporatës Energjetike të Kosovës.

Bashkë me ta po akuzohen edhe Fllanza Hoxha e Arben Gjuka, raporton Betimi për Drejtësi.

Fillimisht, i akuzuari Gashi, përmes mbrojtësit të tij, avokatit Arianit Koci ka njoftuar gjykatën për vonesën e tij për seancë, duke kërkuar që palët ta presin për dy orë.

Mirëpo, lidhur me pritjen e tij dhe vazhdimin e seancës pasdite nuk u pajtua prokurori Naim Abazi dhe mbrojtësi i të akuzuarit Beqaj, avokati Besnik Berisha.

Për këtë, seanca e së martës u shty, përkundër faktit që prezentë ishin të gjitha palët tjera dhe dëshmitarët.

Mirëpo, në pamundësi të koordinimit midis mbrojtësve të të akuzuarve, trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësi Valon Kurtaj nuk arriti që ta caktojë seancën për nesër apo pasnesër. Andaj, gjykimi u shty për 26 dhe 27 tetor 2021.

Shqyrtimi kryesor në këtë rast ka filluar më 1 korrik, gjatë së cilës seancë të akuzuarit janë deklaruar përsëri të pafajshëm për akuzat e PSRK-së.

/GazetaSinjali/