image Me katër kallashë grabitën 10 çanta me para, dosja e Prokurorisë për grabitjen e armatosur në Parallovë

Drejtësi

Me katër kallashë grabitën 10 çanta me para, dosja e Prokurorisë për grabitjen e armatosur në Parallovë

news image

Gazeta Sinjali pak më parë raportoi ekskluzivisht se personi që u arrestua më 30 nëntor, lidhur me grabitjen e armatosur në Parallovë të Gjilanit është Dardan Gashi, 29-vjeçar. Ndaj tij, Prokuroria Themelore në Gjilan ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit. Sinjali ka siguruar kërkesën e Prokurorisë drejtuar gjykatës dhe ju sjellë detaje.

Në kërkesën e Prokurorisë thuhet se Dardan Gashi dyshohet se me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm pasuror për vete, me qëllim që ta mbrojë pasurinë e vjedhur me përdorimin e forcës, ka ndihmuar në grabitjen e armatosur që ka ndodhur në fshatin Parallovë, më 18 nëntor, rreth orës 15:20.

Grabitjen dyshohet se e kanë kryer katër persona të armatosur, me armë të gjata AK-47, të cilët kanë arritur të grabisin një sasi të parave nga furgoni Fiat, i kompanisë “Besa Security” i cili bartte para nga Gjilani në Prishtinë.

Derisa furgoni ishte në lëvizje, sipas Prokurorisë, papritmas ishte fikur dhe përkundër tentativës për ta vënë në lëvizje automjetin, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Në ato momente, para këtij automjeti ka kaluar vetura e llojit Zafira, ku nga e njëjta dyshohet se kanë dalë  katër të dyshuarit e maskuar dhe të armatosur dhe kanë shtënë në drejtim të furgonit dhe kanë grabitur 10 çanta me para.

Këtë veturë, të dyshuarit më pas e kanë djegur dhe janë larguar me veturën e tipit Volvo, e cila pas identifikimit është gjetur se ishte publikuar për shitje nga i dyshuari Dardan Gashi, nga i cili më pas është konfiskuar libreza e qarkullimit e kësaj veture.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/