image Mehmedi: 25 persona u vranë gjatë këtij viti

Siguri

Mehmedi: 25 persona u vranë gjatë këtij viti

news image

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmedi, në raportimin e tij para Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, e ka nisur me paraqitjen e statistikave të punës së institucionit që udhëheq, përcjellë Gazeta Sinjali.

Mehmedi ka thënë para anëtarëve të komisionit se gjatë këtij viti janë identifikuar mbi 24 mijë vepra penale, ndërsa 11 mijë kundërvajtje dhe raste të natyrave tjera.

“Numri i vrasjeve gjatë kësaj periudhe fatkeqësisht ka shënuar ngritje nga 19 sa i kemi pasur vitin e kaluar, i kemi 25 këtë vit, që nënkupton 31,57 për qind ngritje. Numri i lëndimeve të rënda ka shënuar rënie nga 245, në 237. Numri i grabitjeve ka shënuar rënie nga 147 në 120. Numri i vjedhjeve ka shënuar rënie, nga 4131 në 3492. Ndërsa, numri i rasteve të dhunës në familje fatkeqësisht ka shënuar ngritje. Nga 1751 në 1861, ose 6,86 ngritje”, ka theksuar Mehmedi.

Ai ka theksuar gjithashtu se Policia e Kosovës ka ndaluar mbi 4 mijë e 400 persona për dyshimet në përfshirje në akte kriminale, e që krahasuar me vitin e kaluar ka ngritje me 1.89 për qind.

Numri i personave të arrestuar e të dërguar në procedura të mëtejme është 12 mijë persona.

“Gjatë kësaj periudhe kohore, në kuadër të aktiviteteve policore të orientuara në parandalimin të luftimit të krimit të organizuar, krimeve të rënda, janë realizuar 566 operacione të ndryshme, 939 bastisje lokale dhe objekteve të tjera të kontrolluara, si dhe 65 plane operative. Brenda kësaj periudhe janë punuar gjithsej 1413 raste të kësaj natyre, prej tyre 852 raste të reja, 418 raste të përpunuara nga njësitë tjera në kuadër të Policisë së Kosovës. 205 raste janë bartur nga vitet paraprake, ndërsa pesë raste kanë qenë të transferuara nga njësitë e tjera… Janë paraqitur 826 kallëzime penale, 54 prej tyre me kryes të panjohur, 772 kallëzime penale me kryes të njohur”, tha Mehmeti.

Deputetët Salih Zyba e Elmi Reçica kanë kërkuar që Mehmedi ta ndërpresë raportimin me statistika dhe të ketë raportim për gjendjen aktuale në këtë institucion.

Tutje, Mehmedi ka folur edhe për numrin e zyrtarëve policorë të infektuar me COVID-19 nga marsi i këtij viti. Ndërkohë që siguroi se numri i të infektuarve, nuk ka ndikuar në punën e policisë.

“293 janë aktivë me COVID, janë të infektuar. Fatkeqësisht 12 zyrtarë nuk kanë arritur me i përballua infeksionit, edhe kanë vdekur si pasojë e infektimeve. Sot në ditën kur po flasim 234 pjesëtarë i kemi në izolim, prej fillimit të pandemisë janë infektuar 1142 pjesëtarë të policisë, ndërsa staf civil 47”, tha ai.

Derisa ka folur për numrin e gjobave të shqiptuara gjatë pandemisë, ai nuk ka mohuar se në ndonjë rast ka pasur tejkalim të kompetencave. Ai ka folur edhe për rastet e trafikimit të qenieve njerëzore, ku tha se janë identifikuar 18 raste për shërbime të prostitucionit, ku janë strehuar shtatë viktima.

/Gazeta Sinjali/