Edhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj i ka reaguar ministrit të Brendshëm serbë, Aleksander Vulin lidhur me deklaratën që ka bërë pak ditë më parë për masakrën e Reçakut.
Ministri i Mbrojtjes tha se bota e di të vërtetën si për Reçakun ashtu edhe për Vukovarin e Srebrenicën.
“Neve nuk na befason asgjë nga skenarët e tillë antishqiptar dhe antinjerëzor të kreatorëve të krimeve çnjerëzore. Bota di të vërtetën edhe të Vukovarit e Srebrenicës siç di , parë e ndjerë edhe masakrën e Reçakut”, ka thënë Mehaj.
Ky reagim i Mehajt ka ardhur pasi, ministri i Brendshëm serb, Aleksander Vulin gjatë vizitës së ekipit filmik për Masakrën e Reçakut e ka quajtur “falsifikim” dhe “rrenë”.
“E Vërteta e Madhe, gur e shpirt i skalitur është edhe Almiri 14 vjeçar që iu këputë jeta bashkë me 45 familjarë e bashkëfshatarë të Reçakut, për të vetmin “faj” se ishin shqiptarë, nga gjakatarët barbarë serb, që udhëhiqeshin atë kohë nga qeveria kriminale serbe ku bënte pjesë edhe Vuçiq”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.
“Bota e vlerave demokratike dhe humane duhet të reagoj fuqishëm ndaj kësaj bastardie serbe të radhës, sepse Ne nuk harrojmë kurrë!”./GazetaSinjali/