image Mediumi britanik: Avokatët po kërkojnë diskualifikimin e dy gjyqtarëve të lartë në Gjykatën Speciale

Drejtësi

Mediumi britanik: Avokatët po kërkojnë diskualifikimin e dy gjyqtarëve të lartë në Gjykatën Speciale

news image

Mediumi britanik ‘The Telegraph” ka raportuar se avokatët britanikë të angazhuar në mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së po konsiderojnë se gjykimi i Nasim Haradinajt është politik.

Sipas këtij mediumi avokatët britanikë po kërkojnë që të diskualifikojnë nga postet e tyre dy gjyqtarë të lartë të Gjykatës Speciale për “abuzim me autoritetin”.

“The Telegraph” shkruan se njëri nga gjyqtarët njoftoi diplomatët evropianë mbi rastin e Haradinajt, duke cenuar pavarësinë dhe vendimmarrjen e paanshme gjyqësore.

Ndërkaq, për gjyqtarin e dytë të akuzuar për tejkalim kompetencash avokatët britanikë po pretendojnë se ka komprometuar pavarësinë e tij duke ushtruar presion politik mbi gjyqtarët e tjerë dhe duke sugjeruar se Brukseli po i bën presion për dënime mbi krimet e supozuara të luftës në Kosovë.

“The Telegraph” shton se rasti po shqyrtohet në Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit Special.

Avokati i Haradinajt, Toby Cadman, konfirmoi për prestigjiozen britanike se po kërkonte përjashtimin ose suspendimin e gjyqtares Ekaterina Trendafilova, kryetare e gjykatës, dhe gjyqtarit Charles L Smith, zëvendëspresident.

“Ne jemi jashtëzakonisht të zhgënjyer që është hedhur poshtë kërkesa, pa marrë parasysh argumentet”, tha Cadman për mediumin.

“E tëra që kërkojmë është që klienti ynë të marrë një gjykim të drejtë nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme e krijuar me ligj”, ka shtuar tutje ai.

/Gazeta Sinjali/