image Mediu: Shqipëria duhet të thërrasë Këshillin e Sigurisë

Politikë

Mediu: Shqipëria duhet të thërrasë Këshillin e Sigurisë

news image

Kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu ka folur mbi situatën në veri të Kosovës teksa ka thënë se në këtë rast Shqipëria duhet të thërrasë Këshillin e Sigurisë në mënyrë që të vendosë në lëvizje institucionet në lidhje me këtë ngjarje.

Ai deklaroi se presidenti serb Vuçiç sot po kërkon të imponojë zhvillimet në Kosovë, ndërsa shtoi më tej se Serbia po përdor të njëjtën narrativë si Rusia në Ukrainë. Sipas tij Rusia po kërkon të krijojë zona të reja konflikti për të shkëputur vëmendjen nga ajo që po ndodh në Ukrainë duke tentuar të krijojë konflikte në Ballkan,

Mediu shtoi se Shqipëria nuk e ka kuptuar akoma rolin që ka brenda NATO-s, ndërsa shtoi se nuk ka një politikë të koordinuar duke u kthyer në një republikë kryeministrore sjellje që sipas tij duhet ndryshuar.

“Gjëja e parë që më shqetëson është a është Shqipëria vend që funksionon në bazë të institucioneve apo jo, në këtë situatë duhet të thërritet këshilli I sigurisë edhe pse nuk ka ndonjë funksion, por nga ana kushtetuese do duhet të ndodhë. Kjo mbledhje do vendoste në lëvizje institucionet në vend në lidhje me situatën, jemi i vetmi vend I NATO-s që nuk kemi një agjenci të sigurimit në vend. Unë mendoj se ne si Shqipëri kemi një detyrim jo vetëm për Kosovën, por për shkeljen e interesave të NATO-s. Për të parë se si rajoni konsiderohet vatër e mundshme konflikti Shqipëria duhet ta përcjellë këtë shqetësim. Po ashtu Shqipëria konsiderohet si faktor i rëndësishëm në rajon, por si mund të jemi pa koordinuar qëndrimet me vendet e tjera të rajonit si Kroacia, Sllovenia, etj. Ajo që po ndodh në Kosovë është një histori e hershme, nuk është diçka e re. Sot Vuçiç kërkon të imponojë zhvillimet në Kosovë, narrativa që përdor Serbia është e njëjta që ka ndodhur dhe në Ukrainë. Rusia kërkon të krijojë zona të reja konflikti për të shkëputur vëmendjen nga ajo që po ndodh në Ukrainë.

Shqipëria nuk ka kuptuar pse është vend anëtar i NATO-s, nuk e ka kuptuar koma rolin që ka brenda kësaj aleance. Nuk ka një politikë të koordinuar, jemi një republikë kryeministrore tani, duhet ta ndryshojmë këtë sjellje. Duhet të kuptojmë që si vend i vogël e kemi të rëndësishme të dimë ku jemi në gjeopolitikën lokale dhe globale. Sot prezenca e Rusisë në Ballkan është kudo, Kina po ashtu me influencat e veta. Serbia po përpiqet të zgjerojë konfliktin, po shohim tendencën jo vetëm të armatosjes, por për t’u shkëputur nga Bosnja. Debatet në Malin e Zi janë po ashtu të nxitura nga ana e Serbisë. Ajo që më shqetëson është se ne presim çfarë do bëjë KFOR, BE apo SHBA, por harrojmë që pjesa tjetër është e lidhur me Rusinë dhe Kinën. Jo gjithmonë ne duhet të presim, nëse sot ka barrikada, ndërhyrja e trupave serbë mund të shkaktojë përshkallëzim të konfliktit. Ne e kemi marrë të mirëqenë marrëveshjen tonë me SHBA-në, por Serbia ka ndikim më të madh në rajon se ne. Ne nuk kemi bërë të qartë përballë BE-së se kush janë organizatorët e krimeve që ndodhën në Kosovë. Tani kemi ata që kanë bërë persekutimin duke drejtuar politikën në Serbi dhe ata që u mbrojtën në Hagë.

Serbia nuk ka ndonjë kërcënim, ata vetë janë faktor kërcënues. Atentati ndaj presidentit të Malit të Zi ishte një sulm i menduar për të ndaluar anëtarësimin e tyre në NATO, janë interesa të drejtpërdrejta të Serbisë dhe Rusisë. Ajo që na shqetëson ne është qëndrimi i presidentit malazez që ka thënë se ka një ndërtim politik nga Serbia për të zhdukur nga harta Kosovën dhe Malin e Zi. Kroacia po ashtu e ka ngritur shqetësimin për armatosjen e Serbisë, a bën të mendojmë që Serbia po përgatitet për të krijuar”, tha ai për News24.

/GazetaSinjali/