Një shofer i kompanisë ‘Express Posta’ në pikë të ditës është përballur me një rrezik serioz për jetën. Tre persona të panjohur të cilët ishin të armatosur, ia kanë grabitur atij veturën dhe të gjitha paratë, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se e gjithë ngjarja ka ndodhur sot rreth orës 15:50 në fshatin Ballaban në Prishtinë, ku shoferi i postës kishte shkuar të dërgojë një porosi te një klient.
Sipas burimeve, teksa ndodhej në veturën e cila është pronë e kompanisë, para tij u shfaqën tre persona të panjohur, dy nga ta të armatosur.
Njëri nga të dyshuarit kishte me vete një revole, ndërsa tjetri nën kërcënimin e thikës, e detyruan shoferin e postës që t’ua japë të gjitha paratë që i kishte në dispozicion.
Pos parave, të dyshuarit e ‘flakën’ nga vetura shoferin dhe ia vodhën edhe automjetin që po drejtonte.
Vetura që u grabit, u gjet pak më vonë e braktisur në po të njëjtin fshat, teksa shoferi i kompanisë ka deklaruar se nuk i kujtohen detajet të cilat mund të ndihmojnë në identifikimin e personave të dyshuar.
Sipas tij, krejt çka mban në mend është fakti se të tre personat kanë bartur në qafë qafore të trasha nga ari.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se rasti është raportuar në Polici, me ç’rast njësitë hetimore janë vënë në lëvizje që t’u bien në gjurmë personave që terrorizuan shoferin.
Sinjali do t’iu mbajë të informuar me të gjitha detajet e reja lidhur me rastin.