Kanë më shumë se dy javë të vetizoluar. 17 punëtorët shëndetësorë të Vitisë që kishin kontakt me personin e parë të infektuar me koronavirus dhe me ambientin ku ai u kontrollua, sot në mbëmje do të mund të dalin nga karantina e të kthehen në punë.
Në një prononcim për Gazetën Sinjali, drejtoresha e QKMF-së në Viti, doktoresha Vjosa Kadolli ka thënë se sot atyre u është bërë testi i dytë për koronavirus, ndërsa në mbrëmje pritet të dalin rezultatet e mostrave të tyre.
“Momentalisht jemi mirë. Asnjëri nga punëtorët shëndetësorë nuk ka shfaqur simptoma. E kemi bërë testin dhe kah mbrëmja besoj se dalin rezultatet e testeve tona”, ka thënë Kadolli.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike atyre ua kishte bërë testin e parë në ditën e 8 të karantinimit.
Deri tani janë shënuar 86 raste me koronavirus në Kosovë, ndërkaq një 82-vjeçar nga Podujeva u bë viktima e parë e këtij virusi në vendin tonë. /Gazeta Sinjali/