Partia Socialdemokrate (PSD) ka vendosur biberonë me qumësht para objektit të qeverisë, si shenjë proteste ndaj vendimit të djeshëm të Qeverisë Kurti për mbylljen e çerdheve, raporton Gazeta Sinjali.
Sipas PSD-së, kjo qeveri është treguar e paemancipuar pasi që “ka betonizuar” rolin e gruas në shtëpi.
Zëdhënësja e kësaj partie, Natyra Kuçi, tha se përmes këtij aksioni simbolik po tregojnë që Qeveria është bërë barrë për nënat dhe gratë në shtëpi.
Ajo kritikoi ekzekutivin edhe për shkakun e mbylljes së kopshteve dhe çerdheve, pasi që, thotë ajo, qeveria ka ndërmarrë një hap të tillë për të ulur numrat e të infektuarve në mënyrë që të vazhdojë me fushatë elektorale për zgjedhjet e 17 tetorit.
Qeveria Kurti, sipas Kuçit, ka lënë fëmijët anash dhe pa përkujdesje të shtetit.
“Mbyllja e çerdheve dhe kopshteve është vendosur sot për nesër. Pra, kemi një vendosje ad-hoc të pamenduar, e cila prapë po rëndon mbi barrën e grave. Vendimet e qeverisë janë instumentalizuese, përndryshe si ka kuptim që të mbyllen çerdhet dhe shkollat e të lihen hapur tubimet, të kemi hapur xhamitë, gastronomitë dhe gjithçka tjetër[…]Në rastet më të këqija, nënat do të humbasin punën e tyre”, tha ajo para gazetarëve.
Tutje, ajo tha se ka raste kur nënat detyrohen të marrin pushimin vjetor për të qëndruar më fëmijët e tyre në shtëpi, pasi kopshtet nuk punojnë.
“Qeveria Kurti është joemancipuese, është betonuese e rolit të gruas në shoqëri, roli të cilin nënën e mbanë në shtëpi, të mbyllur me fëmijët e tyre, derisa pret momentin që rastet të bien drastikisht në mënyrë që të vazhdojë me tubimet politike dhe të vazhdojë me fushatën elektorale në mënyrë që të fitojë sa më shumë”, u shpreh ajo./Gazeta Sinjali/