image Me ritëm të shpejtë, serbët po kthehen në veri të Kosovës - Sinjali

Me ritëm të shpejtë, serbët po kthehen në veri të Kosovës

news image

58 familje serbe i kanë pranuar çelësat e banesave duke u kthyer në veri të Kosovë, saktësisht në Komunën e Leposaviqit. Sapo u vendosën në banesat e tyre, ata vendosën flamuj të Serbisë nëpër ballkone.

Në ceremoni mori pjesë edhe ndihmësi i Marko Gjuriqit, Petar Petkoviq dhe deputeti i Listës Serbe, Slavko Simiq.

Por, siç shkruan RTK, ky duket se është vetëm fillimi i planit të Serbisë për rikthimin e serbëve në veriun e Kosovës.

Projekti që njihet si “Lugina e Diellit” në Komunën e Zveçanit tashmë duket se po shkon drejt përfundimit. Aty pritet të vendosen mbi 1 mijë e 500 familje të tjera serbe.

Pas dorëzimit të 58 çelësave për banorët serbë në Komunën e Leposaviqit, punimet për kthimin e serbëve në pjesën veriore, po vazhdojnë edhe në zonën që njihet si Lugina e Diellit. Brenda pak javësh, në objektet e reja pritet të vendosën edhe mijëra serbë të tjerë.

Punimet kishin nisur në marsin e vitit 2019, por kur ka kaluar më shumë se një vit nga atëherë, çdo gjë po shkon drejt finalizimit.

Ekskavatorët po vazhdojnë punën intensivisht, përderisa përveç shtëpive, Qeveria e Serbisë ka ndihmuar edhe me ndërtimin e banesave kolektive.

Kjo situatë po bëhet e papranueshme për shqiptarët që jetojnë në pjesën veriore.

“Shqiptarët në anën tjetër janë tu vujtë, nuk munden me nejtë në trojet e veta, për serbët pa leje pa kurrgjë ndërtohen objekte, e shumë shpejt ata do të vinë me banu”, shprehet Arsim Paqarada nga Suhodolli.

Të gjitha punimet janë kryer nga kompani shqiptare, kurse investimet nga Qeveria e Serbisë pritet të vazhdojnë.

“Kjo veç është shumë afër përfundimit, shumë shpejt këta besoj që para vitit të ri vendosen. Kësi banesa s’keni as midis Prishtine”, thotë Paqarada.

Me ritëm të shpejtë, serbët po kthehen edhe në objekte të tjera.

Por, gjendja në anën e shqiptarëve është krejt tjetër.

Në Kroin e Vitakut, shtëpitë e shqiptarëve kanë mbetur të paprekura tash e 6 vjet. Banorët shqiptarë insistojnë se nuk do ta lëshojnë atë zonë, por kanë kritika të ashpra për institucionet.

RTK për këtë temë ka kërkuar sqarime nga Qeveria, nëse ka leje për këto ndërtime në pjesën veriore, por nuk ka marrë përgjigje.

Një deklaratë për situatën atje, e kishte dhënë javë më parë kryeministri Avdullah Hoti.

“E dimë që kemi vështirësi në atë pjesë të vendit, por ligjin është një si për jug si për veri, andaj ne nuk do të heqim dorë nga tentimi për ta shtrirë sovranitetin edhe në atë pjesë”, kishte thënë Hoti.

Në zonën që njihet si Lugina e Diellit, në muajin qershor ka nisur ndërtimi edhe i një Kishe Ortodokse. /Gazeta Sinjali


Shpërndaje artikullin

Etiketat kryesore: