Qeveria Kurti ka shfuqizuar vendimin për përfitimin e ministrave dhe zëvendësministrave pas mandateve. Ndërsa, për qeverinë aktuale janë ulur pagat.
Këto vendime u morën sot në mbledhjen e dytë të Qeverisë së Kosovës. Vendimet në fjalë, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, i ka quajtur mesazh i qartë se Qeveria Kurti do të jetë në shërbim të qytetarëve.
Postimi i saj i plotë:
Dy vendime të padrejta u shfuqizuan në mbledhjen e Qeverisë.
Së pari, vendimi i kundërligjshëm i ish Qeverisë për ngritjen e pagave për vete. Ky vendim nuk do të ketë efekt juridik për pagat e prokurorëve dhe gjyqtarëve si dhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese.
Vendimi i dytë që u shfuqizua, ishte ai për pagat që përfitonin kabinetet e ish Qeverive, pas mandatit.
Këto vendime, janë mesazh i qartë se Qeveria Kurti do të jetë në shërbim të qytetarëve dhe jo në shërbim të vetvetes. /Gazeta Sinjali/