image Me maska, të “paketuar", pamje të tmerrrshme në burgjet e El Salvadorit pas 22 ekzekutimeve në një ditë

Botë

"Izalco"/ Me maska, të “paketuar”, pamje të tmerrrshme në burgjet e El Salvadorit pas 22 ekzekutimeve në një ditë

news image

Koronavirusi është i frikshëm, por vrasja edhe më e frikshme. Rritja e numrit të vrasjeve në burgjet e një prej vendeve më të dhunshme në botë, El Salvadorit, ka bërë që autoritetet të mos respektojnë rregullat e distancimit social, por të grupojnë të burgosurit ngjitur me njëri-tjetrin, në përpjekje për të shmangur përshkallëzimin e dhunës.

Të burgosurit e burgut “Izalco” përfunduan ngjitur me njëri-tjetrin, edhe pse disa mbanin maska në fytyrë, pas urdhrit të presidentit Nayib Bukele, për të vënë rregull mes pjesëtarëve të bandave. Ai deklaroi se liderët e grupeve kriminale do të futeshin në izolim të plotë, pa asnjë kontakt me botën e jashtme.

Vetëm të premten, në burgjet e vendit u kryen 22 ekzekutime, numri më i lartë i vrasjeve ditore që kur Bukele mori drejtimin e vendit qershorin e kaluar, konfirmuan autoritetet lokale.

Vetëm pak vite më parë, El Salvador, ishte një prej vendeve me numrin më të lartë të vrasjeve në Amerikën e Veriut dhe atë të Jugut. Por që kur Bukele erdhi në pushtet, numri i tyre ka pësuar rënie dhe së fundmi u regjistruan disa ditë pa asnjë vrasje të vetme.

Në El Salvador janë vendosur masa nga më striktet për të frenuar pandeminë e koronavirusit, me mbylljen totale të vendit që në 22 mars, pavarësisht ankesave të organizatave të të drejtave të njeriut. Sipas shifrave të Universitetit “John Hopkins”, në shtetin me 6,4 milionë banorë janë konfirmuar vetëm 298 raste me koronavirus dhe vetëm 8 viktima.

Kush janë bandat e El Salvadorit?

Në vitet e fundit, më shumë se 100 mijë banorë të El Salvadorit janë larguar nga shtëpitë e tyre për shkak të kërcënimit nga bandat e rrugëve. Në fillim të muajit ata u përpoqën të merrnin në dorë karantinën, duke përdorur shkopinj dhe kërcënime ndaj njerëzve që dilnin nga shtëpitë.

Dy bandat kryesore janë “Barrio 18” dhe “Mara Salvatrucha”, e njohur ndryshe si  MS-13. Të dy bandat janë të përbëra kryesisht nga ish emigrantë në SHBA, të deportuar në El Salvador. MS-13 u themelua fillimisht në Los Anxhelos, për t’u përhapur më pas në qytete të tjera, por edhe në Meksikë, Kanada dhe Amerikën Qendrore në vitet 1970 dhe 1980.

Shumica e pjesëtarëve janë nga Amerika Qendrore, veçanërisht nga El Salvadori. Ato shquhen për mizorinë ndaj bandave të tjera por edhe njerëzve të zakonshëm. /Gazeta Sinjali/