Policia në Emiratet e Bashkuara Arabe po përdor helmeta inteligjente për të luftuar koronavirusin e ri.
Oficerët e policisë në Dubai janë pajisur me kaska që arrijnë të matin temperaturën e qindra qytetarëve në minutë kur ata lëvizin nëpër qytet.
Nxehtësia e trupit është një nga simptomat paraprake që është përdorur prej fillimit për diagnostikimin e koronavirusit.
Me shfrytëzimin e pajisjeve inteligjente, autoritetet po shmangin kontaktet fizike dhe po pikasin persona potencialisht të infektuar në zonat e populluara.
“Kur gjejmë dikë që ka temperaturë, marrim masa duke e ndaluar personin, lidhemi me qendrën për të ditur ambulancën më të afërt dhe personit i ofrohet shërbimi i caktuar mjekësor,” shprehet një oficer policie në Dubai.
Helmeta është prodhuar nga një kompani kineze e cila ka shitur mbi 1 mijë artikuj të tillë nga Lindja e Mesme, në Europë dhe në Azi.
Kaskat kanë edhe funksione shtesë si skanimi i fytyrave dhe krahasimi i tyre me një bazë të dhënash virtuale, njohin targat e makinave dhe me këto njohuri mund të analizohet profili i personave dhe nëse ata kanë qenë më parë të infektuar.
Emiratet e Bashkuara Arabe kanë rritur numrin e testimeve për Covid-19 duke ashpërsuar edhe masat për mospërhapjen e pandemisë në shtatë shtetet.
Testimet ofrohen falas për personat që shfaqin simptoma, kanë udhëtuar ose kanë pasur kontakt me një rast të konfirmuar me koronavirus.
Regjimi i shtetrrethimit atje është shkurtuar në fashën orare 10 e mbrëmjes deri në 6 të mëngjesit, ndërsa mbi 8,700 veta raportohet se janë infektuar dhe 56 kanë mbetur viktima të sëmundjes. /Gazeta Sinjali/