Një ngjarje tragjike është parandaluar në një familje shqiptare në zonën e Livornos, në Itali.
Bëhet me dije se familjes shqiptare u kanë mbërritur në derë të shtëpisë një grup tunizianësh të pajisur me hanxharë e thika, për të zgjidhur një çështje mes tyre, të mbetur pezull.
Ata janë shfaqur më 4 janar në derën e familjes shqiptare, që sipas mediave italiane, është familje e shquar dhe me mjaft integritet në zonë.
Raportohet se situata mes familjes shqiptare dhe grupit të tunizianëve ka qenë mjaft e tensionuar, por është zgjidhur pa dëme, falë alarmit të disa kalimtarëve dhe banorëve të cilët duke kuptuar rrezikun e rrethanave kanë lajmëruar menjëherë policinë, duke e bërë grupin e tunizianëve të arratiseshin.
Në vendngjarje, pak pas orës 16.30, kanë mbërritur makinat e policisë, ekipet e repartit të reagimit emergjent, karabinierët dhe efektivët e policisë. Ata nuk gjetën asnjë tunizian apo armë të ftohtë në vendngjarje. Megjithatë ka nisur puna për identifikimin dhe kapjen e tyre.