image Mbyllja e çerdheve, sfidë për prindërit e punësuar në sektorin privat

Arsim

Mbyllja e çerdheve, sfidë për prindërit e punësuar në sektorin privat

news image

Mbyllja e çerdheve do t’i dëmtojë financiarisht familjet dhe do t’u sjellë probleme prindërve që punojnë në sektorin privat.

Vendimi i fundit i Qeverisë së Kosovës, për mbylljen e çerdheve dhe shkollave, si masë parandaluese e përhapjes së COVID-19 – ka bërë që shumë parti politike, nëna e gra, si dhe aktivistë të shoqërisë civile, të reagojnë për këtë vendim.

Dorina Lluka – Davies, eksperte për zhvillimin e rinisë, tha se ky vendim ka qenë i shpejtë dhe ka atakuar më së shumti nënat, duke pasur parasysh që shumë nga to punojnë nëpër institucione private.

“Vendimi i mbylljes së çerdheve ka qenë një vendim i shpejtë dhe drejtpërdrejtë ka atakuar më së shumti nënat, duke pasur parasysh që në institucione ose çerdhe private punojnë gra dhe kush garanton që ato institucione kanë me i pagu ato nëna të cilat janë dalë prej punës. Në anën tjetër jo të gjithë punojnë në institucione publike dhe kërkesa që një prind me qëndru në shtëpi, nuk qëndron, pasi kjo është vetëm sa me rregullu diçka, por jo për sektorin privat”, tha Lluka Davies për EO.

Shoqëria civile po e sheh me shumë shqetësim krejt këtë situatë, pasi fëmijët po vuajnë pasojat dhe shumë prindër tashmë janë detyruar të kërkojnë kujdestare për kujdesin e fëmijëve të tyre.

Ne si shoqëri civile e shohim bukur me shqetësim faktin që nuk ka pasur konsultime specifike për ta dhe nuk mundet sot me vendos e nesër mos me pasë çerdhe dhe pa harru se çfarë humbin fëmijët. Ata në një mënyrë janë të paaftë për realitetin që u krijohet ndaj tyre dhe aspak shenjë e mirë për kujdesin ndaj tyre”, shtoi ajo.

Ne veçse kemi nisur me i pa dhe ka diskutime nga më të ndryshmet, ku nënat kanë nisur me bë kërkesa online, ‘nëse ka dikush që mundet m’u kujdes për fëmijën tim’ ose dikush që është i lirë ose nuk ka mundësi me i pagu, por kjo do ndikojë tutje, pasi fëmijët të kthehen në çerdhe”, u shpreh Lluka Davies.

“Të rinjtë tanë të cilëve përveç shkollave në aspektin fizik që iu është ndalë dhe ndalesa e mësimit online, unë personalisht mendoj që nuk është e drejtë e pa marrë parasysh është efektiv apo nuk është efektiv. Mangësia ka qenë në sezonin e verës, ku ministria të punonte me mësimdhënësit se si të punohej online, pasi shtetet perëndimore janë moti me mësimin online dhe besoj që do duhej të rritej kualiteti në këtë drejtim”, deklaroi ajo.

Sipas saj, ndërprerja e mësimit fizik ka pamundësuar për nxënësit një mësim efektiv dhe edukativ, ku shumë nga ta, thotë ajo, po shihen nëpër kafene dhe jo aty ku do duhej të ishin.

Kjo ndërprerje e mësimit i ka dy anë, e para që e kuptojmë që është bë një reagim me i mbrojt të rinjtë, por është ana tjetër se po duket që është e papërgatitur duke marrë parasysh që për herë të parë neve si organizata na kanë ndalu punën me të rinjtë. Tashmë një i ri nëse nuk e ka mësimin fizik dhe atë online ku shkon, tash të rinjtë i kemi nëpër kafeteri”, përfundoi ajo.

Si shumë problematike dhe vendime të pamenduara mirë nga ana e qeverisë po e sheh deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Albana Bytyçi, e cila tha se mbyllja e çerdheve do të rëndojë ekonominë e shumë prindërve dhe familjeve në përgjithësi.

Shumë prindërve do u vështirësohet dhe pamundësohet funksionimi normal dhe gjithashtu edhe ekonomia. Nuk e di nëse dy prindër punojnë në sektor privat dhe në dy subjekte të ndryshme, atëherë si do të vendoset se cili prind do të lirohet nga puna dhe nuk e di se si e kanë menduar këtë pjesë”, tha Bytyçi.

Ajo madje thotë se kjo qeveri sheh vetëm bardhë e zi  dhe vendimet e tyre janë të gabuara dhe pa ndonjë zgjidhje adekuate.

Kjo qeverisje sheh vetëm bardhë e zi qysh nga fillimi, jo vetëm për pandeminë, por gati në gjithçka. Vendimet për mbylljen e çerdheve janë vendime të pa analizuara, se janë masa më lehtë të zbatueshme, këto vendime janë të gabuara dhe nuk ofrojnë zgjidhje. Duke e ditur që në çerdhe ka raste të vogla të infektimeve, por është dashur që edhe prindërit më herët të paralajmërohen dhe të vaksinohen dhe të mos bëhet një mbyllje e tyre”, shtoi ajo.

Sa i përket mosfillimit të procesit mësimor, Bytyçi thotë se do duhej të bëhej një zgjidhje  për nxënësit që t’u ofrohen kushte më të mira sepse pastaj pasojat do jenë shumë të mëdha.

Normalisht që Qeveria është në ekstrem, ose me shku në shkollë të lirë ose mos me shku fare, do duhej që Qeveria të bëjë një zgjidhje optimale duke u ofruar kushte më të mira. Pasojat kanë me qenë tek të gjithë e jo vetëm tek nxënësit por tek të gjithë qytetarët dhe mundem me thanë që qeveria duhet ta mendoj këtë pjesë më mirë dhe më gjatë”, përfundoi Bytyçi.

E si shqetësim po e sheh edhe Armend Ahmeti, kryetar i forumit rinor në Komitetin Lokal për Siguri Publike, i cili tha se problem shumë i madh do jetë mbyllja e çerdheve sidomos për prindërit që nuk janë të punësuar në institucione shtetërore por në  sektorin privat.

Është problem sepse sektori i kategorisë së punësimit në institucione shtetërore do të zbatohet ndoshta 100% por nuk mundesh me sigurua që një nënë që punon me një sektor privat që mundet një kompani e caktuar me ia ofrua komoditetin që me shku për dy javë rresht në shtëpi”, tha Ahmeti.

Jemi dëshmitarë të gjithë se shumica prej tyre në kohën e pandemisë veçse kanë filluar me i largu prej punës e leje më që kur flitet për dy javë rresht mbyllje, nëse i largon 50 nëna prej pune atëherë 50 fëmijë kanë me qenë në përkujdesje të tyre, por ekonomia e asaj familje vetëm sa do të rëndohet”, tha ai.

Ai tutje tha, se këto masa të fundit do  ndikojnë  shumë edhe në aspektin psikologjik të vet fëmijëve sepse sadopak kanë kaluar një kohë në këndin e lojërave nëpër çerdhe, e sipas tij ky vendim është mjaftë i çuditshëm.

Në aspektin psikologjik ka ndikuar shumë sepse edhe atë pjesën rutinore që e kanë kaluar fëmijët në shtëpi, momentin që kanë shkuar në çerdhet e tyre e kanë kaluar duke bërë këndin e lojërave me shokët dhe shoqet e tyre. Ky vendim është paksa i çuditshëm edhe pse në të njëjtën kohë në shtetet perëndimore sheh se as shkollat dhe çerdhet nuk janë mbyllur për qëllim që me e  largu pjesën e ndikimit psikologjik, mirëpo një vendim i tillë është paksa i çuditshëm”, shtoi Ahmeti.

Ahmeti shtoi tutje se ndikimi psikik tek fëmijët me mosvijimin e shkollave do jetë edhe një goditje tjetër për fëmijët nga të cilët pasojat do jenë të mëdha.

Natyrisht që edhe në aspektin psikologjik por edhe në atë të edukimit do të ndikoj sepse në momentin kur janë hapësirat e shkollës fizikisht ata natyrisht që i trajtojnë temat e mësimit, ndërsa përmes platformave që po përdoren për mësimin online nuk është se jo të gjithë i kanë edhe kushtet dhe madje hezitojnë të kyçen online. Kjo do jep pasoja të mëdha sepse edukimi dhe arsimimi është një proces që zhvillohet gjatë gjithë kohës”, përfundoi ai.

/GazetaSinjali/