Radioja e fundit e pavarur e Hungarisë ka humbur apelin për të mbajtur licencën e saj, pasi rregullatori i mediave në këtë vend ka konstatuar se ajo ka shkelur një ligj të regjistrimit të detyrueshëm.
Presidenti i Klubradios, Andras Arato, tha të martën se apeli i tij në Gjykatën Metropolitane në Budapest, për ta detyruar rregullatorin e mediave, NMHH, të lëshojë një licencë të përkohshme transmetimi, është refuzuar.
“Vendimi, edhe pse pritej, është i turpshëm dhe frikacak”, tha Arato.
Ai tha se radio-stacioni do të ndërpritet përmes valëve të ajrit, por do të vazhdojë transmetimet në internet.
Klubradio transmeton kryesisht në Budapest.
Lajmet dhe përmbajtja e saj janë shpesh kritike ndaj Qeverisë së kryeministrit hungarez, Viktor Orban.
Në shtator të vitit 2020, NMHH, i përbërë vetëm nga mbështetësit e Orbanit, ka refuzuar ta zgjasë licencën shtatëvjeçare të operimit të Klubradios, e cila skadon më 14 shkurt, duke thënë se stacioni “në mënyrë të përsëritur” ka shkelur Ligjin e regjistrimit të detyrueshëm, duke i dorëzuar dy herë dokumentet me vonesë, transmeton rel.
Për shkeljet e tilla zakonisht pasojnë gjoba dhe njoftimi i NMHH-së ka ngritur shqetësime të reja për presionin e politikës mbi mediat.
Hungaria është tashmë nën hetimet e Bashkimit Evropian për minimin e pavarësisë së gjyqësorit, medias dhe organizatave joqeveritare dhe rrezikon të humbasë qasjen në dhjetëra miliarda euro fonde nga blloku./GazetaSinjali/