image Mbyllet e pamja për Shqipdon Aliun, familja nuk i di ende rrethanat e vdekjes së tij

Kosovë

Siguri/ Mbyllet e pamja për Shqipdon Aliun, familja nuk i di ende rrethanat e vdekjes së tij

news image

Dje është mbyllur e pamja për 24 vjeçarin nga fshati Gadime e Ulët e Lipjanit, Shqipdon Aliu, i cili pas disa ditësh i zhdukur u gjetë të hënën i vdekur në një gropë te gurëthyesi i vjetër në këtë fshat. Gazeta Sinjali ka kontaktuar Prokurorinë Themelore të Prishtinës, për të kuptuar shkakun dhe rrethanat e vdekjes së të riut, por Prokuroria thotë se ende është në pritje të rezultatit të obduksionit.

Në një bisedë për Gazetën Sinjali, familjarë të Shqipdonit thonë se as ata nuk i dinë rrethanat e vdekjes së 24 vjeçarit.

“Dje është mbyllë e pamja. Hala nuk e dimë shkakun e vdekjes, njëherë s’i kem as rezultatet e obduksionit”, thanë familjarët e viktimës për Gazetën Sinjali.

Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj, ka thënë se edhe prokurori i rastit është në pritje të rezultatit të obduksionit.

Dëshmitarë nga vendi i ngjarjes thanë se Shqipdonit iu gjet telefoni i ndalur dhe një pako cigare disa metra larg nga gropa afër gurëthyesit të vjetër nga ku policia nxorri trupin e tij të vdekur.

Ai është varrosur pranë babait të tij, i cili vdiq gjatë kohës sa Shqipdoni ishte i zhdukur.

I riu pas vete ka lënë nënën dhe motrën 9 vjeçare.

Pamje nga vendi ku dyshohet se u nxorr trupi i pajetë i Shqipdon Aliut. /Gazeta Sinjali/