Ka përfunduar procesi i votimit për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale në Serbi.
Sipas Qendrës për zgjedhje të lira dhe demokraci (CESID), deri në ora 19:00, në Serbi kanë votuar 54.6 për qind, derisa në zgjedhjet e vitit 2020, deri në këtë orë kishin votuar 44.9 për qind e votuesve.
Vëzhguesit e zgjedhjeve në Serbi, kanë raportuan parregullsi të shumta në disa qendra të votimit.
Misioni vëzhgues i organizatës joqeveritare CRTA, ka dorëzuar në polici pesë kallëzime penale për parregullsi.
Siç tha përfaqësuesi i kësaj organizate, këto parregullsi përfshinin blerjen e votave në qendrat e votimit, mbajtjen paralele të listave të votuesve, cenimin e fshehtësisë së votimit, si dhe praninë e personave të paautorizuar në vendvotime.
Lideri i njërës prej partive opozitare “Lëvizja Qytetarët e Lirë” (PSG), Pavle Grboviç, ka raportuar për sulm fizik në afërsi të qendrës së votimit.
Ai pretendon se është sulmuar nga anëtarët e partisë në pushtet, Partisë Progresive Serbe (SNS), derisa tha se ka pësuar lëndime në kokë. SNS i mohoi këto pretendime.
Ndërkaq, Ministria e Punëve të Brendshme përmes një njoftimi tha se Grboviç nuk i është përgjigjur thirrjes për të ardhur në polici dhe për të dhënë deklaratë me rastin e incidentit.
Ndërkohë, nga Komisioni Kombëtar i Zgjedhjeve kanë njoftuar se deri në orën 16:00 kanë votuar 41.56 për qind nga totali i popullsisë me të drejtë vote, që është përqindje më e lartë në krahasim me zgjedhjet e mbajtura si në 20120 ashtu edhe në 2016.
Kryetari i Komisionit Kombëtar të Zgjedhjeve tha në konferencën për shtyp se në qendra të caktuara votimi janë regjistruar përplasje të “aktivistëve të ndryshëm partiakë” dhe se për këtë kanë raportuar mediat.
Ai u bëri thirrje të gjitha partive politike që “të qetësojnë gjakrat” dhe “ta kalojnë pjesën tjetër të ditës së zgjedhjeve në paqe”.
Votuesit në Serbi të dielën kanë votuar për zgjedhjet presidenciale, me presidentin populist Aleksandar Vuçiq –i cili mburret për lidhjet e tij personale me presidentin rus, Vladimir Putin teksa Rusia vazhdon pushtimin e paprovokuar të Ukrainës – që pritet të fitojë një mandat tjetër pesëvjeçar në krye të shtetit.
Votuesit më 3 prill po ashtu votuan për zgjedhjet parlamentare, në të cilat, Partia Përparimtare Serbe (SNS) po ashtu pritet të dominojë. Njëkohësisht po mbahen zgjedhjet lokale për disa komuna, përfshirë edhe për kryeqytetin serb, Beogradin.
Në zgjedhjet parlamentare serbe morën pjesë edhe partitë shqiptare, të cilat garuan me dy lista: Koalicioni i Shqiptarëve të Bashkuar dhe Alternativa Demokratike Shqiptare – me gjithsej 20 kandidatë.
Komisioni Zgjedhor në Serbi njoftoi gjatë ditës se deri në ora 14:00 kanë votuar 31.56 për qind e votuesve.
Kryetari i këtij komisioni tha se votimi po zhvillohet “në një atmosferë demokratike dhe se nuk janë vërejtur parregullsi të mëdha”.
Dalja në zgjedhje deri në ora 10:00 ishte 9.59 për qind. Kjo dalje është më e lartë krahasuar me zgjedhjet e qershorit të vitit 2020, kur të drejtën e votës në këtë periudhë kohore, e kishin shfrytëzuar 9.30 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.
Ndërkaq, serbët në Kosovë, me shtetësi të dyfisht votuan në komunat brenda Serbisë, pasi Qeveria e Kosovës nuk lejoi që këto zgjedhje të mbahen brenda territorit të shtetit. Kosova tha se i kishte kërkuar Serbisë që t’i dërgonte kërkesë Qeverisë në Prishtinë për mbajtjen e zgjedhjeve, por Beogradi nuk pranoi.
Të dielën në mëngjes, më shumë se 25 autobusë u panë në stacionin e autobusëve në Mitrovicë të Veriut, për të transportuar serbët për të votuar në Rashkë.
Rashka është një nga komunat në Serbi, pranë kufirit me Kosovën, ku rreth 100,000 qytetarë serbë që jetojnë në Kosovë, do të mund të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.
Transport i organizuar është bërë edhe në Graçanicë, një komunë e banuar me shumicë serbe, që gjendet pranë Prishtinës.
Transporti i qytetarëve për në Serbi është bërë nën organizimin e komunave serbe, si ato që funksionojnë së sistemin e Kosovës, po ashtu ato në sistemin e Serbisë.
Shtetet e Quint-it kishin shprehur “zhgënjim të madh” me vendimin e Qeverisë së Kosovës për moslejimin e mbajtjes së zgjedhjeve serbe.
Ndërkaq, pesë vjet pasi fitoi mandatin e parë si president, Vuçiq vazhdon të jetë forca dominuese në Serbi, duke predikuar paqe dhe stabilitet në një kohë kur Evropa po përballet me konfliktin më të madh që prej Luftës së Dytë Botërore.
Por, kritikët e tij thonë se ai ka rritur kontrollin e pushtetit përmes kontrollit të mediave dhe Qeverisë, deri në atë pikë saqë muajin e kaluar, tregoi se 43 për qind e të anketuarve u shprehën se nuk besonin se zgjedhjet e 3 prillit do të jenë të lira apo fer.
“Në vitet e fundit, partia në pushtet Partia Përparimtare Serbe ka cenuar në mënyrë të vazhdueshme të drejtat politike dhe liritë civile, duke ushtruar presion mbi mediat e pavarura, mbi opozitën dhe organizatat e shoqërisë civile”, tha Freedom House në vlerësimin e tij të fundit për Serbinë, duke e renditur shtetin në vendin e 62-të nga 100 shtete në indeksin e lirisë për vitin 2021.
Sfiduesi kryesor i Vuçiqit në këto zgjedhje është ish-shefi i ushtrisë Zdravko Ponosh – një gjeneral në pension, që doli si befasi si kandidat i kampit opozitar pro Bashkimit Evropian.
Ponosh, 60 vjeç, është “kandidat i qendrës së djathtë dhe duket se opozita dëshironte të gjente një person i cili do të mund të ishte një kandidat i mirë për atë që konsiderohet në skenën politike në Serbi, që anon nga e djathta”, tha Bojan Klacar, drejtor menaxhues i agjencisë së sondazheve Qendra për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci.
Megjithatë, duket se serbët kanë pak gjasa që të votojnë për ndryshim të udhëheqjes, sa i përket postit të presidentit, apo edhe në nivelin legjislativ edhe pse Qeveria muajt e fundit është përfshirë në një sërë polemikash.
Një sondazh i Institutit për Çështje Evropiane, me seli në Beograd, ka parashikuar se Vuçiq do të fitojë në rundin e parë duke marrë 60 për qind të votave dhe Ponosh do të dalë i dyti me 18 për qind, raporton REL.
Dhe sipas sondazhit të këtij instituti, Parlamenti i ri – që ka 250 ulëse – me gjasë do të përbëhet nga katër ose pesë parti: SNS në pushtet me 57 për qind, Serbia e Bashkuar me 19 për qind, Partia Socialiste e Serbisë me 6.6 për qind, Moramo (Ne duhet) me 5.7 për qind. Ndërkaq, koalicioni NADA (Shpresa) sipas sondazhit, do të jetë rreth pragut të 3 përqindëshit, dhe kjo parti mund ta kalojë pragun dhe të futet në Parlament.
Një rezultat i tillë do të ishte një fitore e madhe për SNS pasi do të ishte hera e parë që kjo parti do të merrte mbi 50 për qind të votave.
Në zgjedhjet e Serbisë të drejtë vote kanë 6.5 milionë votues. Vendvotimet hapen në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 20:00.