Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mblidhet sot në ora 11:00 për të shqyrtuar kërkesën e PDK-së për seancë të jashtëzakonshme për miratimin e pakos financiare emergjente.
Por në këtë mbledhje nuk do të lejohen mediat, kjo për shkak të virusit Covid-19.
Në rend dite janë kërkesa e Grupit Parlamentar të PDK-së për seancë të jashtëzakonshme dhe ndërmarrja e veprimeve sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, rasti nr.KO54/20, të datës 6 prill 2020.
“Ju njoftojmë se për shkak të situatës pandemike dhe masave për parandalimin e përhapjes së virusit Covid-19, nuk do të ketë prezencë të mediave në mbledhjen e nesërme të Kryesisë së Kuvendit (shih rendin e ditës në kalendar, në uebfaqe). Pas mbledhjes, mediat dhe publiku do të njihen me vendimet e Kryesisë, nëpërmjet komunikatës. Kërkojmë mirëkuptimin tuaj!”, thuhet në njoftimin e Kuvendit./ Gazeta Sinjali/