Mbi 70 mijë litra qumësht kanë mbetur në stoqe dhe nuk po arrijnë të shiten, arsye kjo që ka shkaktuar mbylljen e shumë fermave.
Kështu u tha në Komisionin për Bujqësi, Pylltari, zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Mjedis, ku janë paraqitur për problemet me grumbullimin e qumështit nga ana e fermerëve të Kosovës nga kryetari i Këshillit koordinues të fermerëve të qumështit, Ramadan Memaj.
Memaj tha se problemet më të mëdha janë me grumbullimin e qumështit. Ky i fundit ka ngritur shqetësimin edhe me importimin e prodhimeve me përmbajtje të vajit të palmës, për çka tha se është bërë shkelje flagrante e ligjit.
“Në Kosovë për momentin janë mbi 70 mijë litra qumësht të cilat nuk po arrijnë të shiten. Tani në kohët e fundit e kemi dukurinë e mbylljes së fermave ,në pamundësinë që të mbijetojnë si shkak i situatës. Nga terreni na vijnë informacione se 50 për qind e çmimeve janë zvogëluar. Çështja e zbritjes së çmimeve rrezikon një pjesë të madhe të fermerëve të cilët edhe po ta shesin qumështin në këtë formë nuk mbërrijnë të mbijetojnë”, ka deklaruar ai.
Memaj tha se kanë insistuar për ndihmë, por që nuk ka pasur reflektim duke marrë veprime konkrete. Sipas tij, kërkesat dhe shqetësimet e tyre janë neglizhuar.
AVUK, sipas tij, ka lejuar të importojë produkte të cilat nuk kanë njohuri se çfarë përmbajtje ka.
Ai theksoi se kanë dorëzuar kallëzim penal ndaj AVUK në Prokurorinë e Shtetit, por që deri tash nuk është ndërmarrë asgjë./Gazeta Sinjali/