image SHBA: Nis mbyllja e klinikave të abortit pas vendimit të Supremes - Sinjali

SHBA: Nis mbyllja e klinikave të abortit pas vendimit të Supremes

news image

Klinikat e abortit kanë nisur të mbyllen në disa shtete amerikane, pas vendimit të Gjykatës Supreme të premten, i cili ua merr grave të drejtën për një procedurë të tillë.

Rreth gjysma e shteteve amerikane pritet që të prezantojnë kufizime të reja apo ndalesa, pas vendimit të gjykatës për të përmbysur vendimin e marrë 50 vjet më parë për abortin, të njohur si Roe v Wade.

Trembëdhjetë shtete veçse kanë ndaluar abortin me automatizëm.

Presidenti amerikan, Joe Biden, e ka përshkruar vendimin si “gabim tragjik”.

Menjëherë pas vendimit kanë nisur protesta në rajone të ndryshme të Shteteve të Bashkuara.

Në Finiks të Arizonas, policia ka hedhur gaz lotsjellës, pasi protestuesit që kanë marshuar për të drejtën e abortit, kanë trokitur nëpër dyert dhe dritaret e institucioneve shtetërore.

Në Llos Angjelles, protestuesit kanë bllokuar për pak kohë trafikun në autostradë.

Një klinikë e abortit në Arkansas – që ka ndaluar menjëherë abortin – ka mbyllur dyert për pacientët, pas vendimit të publikuar nga gjykata.

Stafi i klinikës ka telefonuar gratë për t’iu treguar se terminët janë anuluar.

“Pavarësisht sa shumë përgatitemi për lajmet e këqija, kur ato vijnë, na godasin rëndë. Telefonimi i gjithë këto pacienteve për t’iu treguar që vendimi për abortin është përmbysur, është fatkeqësi”, ka thënë infermierja Ashli Hunt, për transmetuesin britanik, BBC.

Edhe në Nju Orllins të Luizianas – një tjetër shtet që ka ndaluar menjëherë abortin – një prej tri qendrave për abort është mbyllur dhe stafi ka shkuar në shtëpi.

Jashtë klinikës, një vullnetare e grave që kanë kryer abort, i ka thënë BBC-së, se gratë e pasura ende mund të kenë qasje në aborte në shtetet tjera, mirëpo “gratë e varfra do të përballen me procedura ilegale”.

Ndërkohë një protestues kundër abortit, prifti protestan, Bill Shankes, ka thënë se e premtja për të është “ditë feste”, shkruan REL.

Vendimi i Gjykatës Supreme nënkupton se rreth 36 milionë gra në moshë riprodhimi do të humbin qasjen në abort nëpër shtetet e tyre, sipas një hulumtimi të kryer nga organizata për kujdes shëndetësor, Planned Parenthood, e cila ka ndihmuar për aborte.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin