image Mbi 30 persona e falën Bajramin në një livadh të Vitisë, Inspektorati paralajmëron dënime

Kosovë

Pandemia/ Mbi 30 persona e falën Bajramin në një livadh të Vitisë, Inspektorati paralajmëron dënime

news image

Inspektorati Komunal i Vitisë po shqyrton rastin e mbi 30 personave që u mblodhën të hënën në një livadh në fshatin Skifteraj të kësaj komune, për të falur namazin e Fitër Bajramit.

Drejtori i Inspekcionit në Viti, Skender Ahmeti ka thënë për Gazetën Sinjali se do të ngritet procedurë administrative kundërvajtëse ndaj personave që shpërfillën masat e qeverisë kundër koronavirusit.

“Do ta shqyrtojmë këtë rast, për shkak se Prokuroria nuk merret më me këto raste. Në 4-5 raste kemi ngritur procedurë administrative kundërvajtëse, edhe në këtë rast do ta bëjmë të njëjtën gjë”, ka thënë Ahmeti.

Rastin e ka konfirmuar për Gazetën Sinjali edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.

“Falja e namazit është mbajtur në ambient të hapur, livadh, jo në xhami. Policia e Kosovës i ka identifikuar personat. Inspektorati Komunal është duke u marrë me rastin si ‘kundërvajtje administrative’. Janë të përfshirë rreth 30 deri në 40 persona”, ka thënë Hashani.

Bashkësia Islame e Kosovos dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik vazhdimisht kanë apeluar te qytetarët të mos mblidhen në xhamia dhe të mos bëjnë vizita me rastin e Fitër Bajramit, kjo për shkak të parandalimit të përhapjes së koronavirusit në vend./Gazeta Sinjali/