Qindra shtetas të Republikës së Kosovës janë kthyer tashmë në vendlindje, dhe disa qindra të tjerë do të kthehen gjatë ditëve në vijim, pasi në pamundësi për të lëvizur, ngecën nëpër aeroporte ndërkombëtare apo vendet ku ndodheshin për vizitë, punë, trajnime apo shkollim.
E gjithë kjo ndodhi, pasi qeveritë e shumicës së shteteve evropiane të Evropës dhe më gjerë, përfshirë edhe Qeverinë e Republikës së Kosovës, ndaluan fluturimet ndërkombëtare, mbyllën kufijtë shtetëror dhe morën masa të tjera për parandalimin e shpërndarjes së virusit COVID-19 dhe mbrojtjen prej tij.
Për identifikimin e tyre u kujdesën Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Ambasadat dhe Konsullatat e Republikë së Kosovës nëpër botë.
“Shërbimi i Jashtëm diplomatik i Republikës së Kosovës, me udhëzim të Ministrisë, arriti marrëveshje mirëkuptimi me shtete të ndryshme, që t’u vazhdohet leja e qëndrimit shtetasve kosovarë që kanë mundësi të qëndrojnë. Po ashtu, misionet tona regjistruan në listë për kthim të gjithë shtetasit që konsideroheshin raste emergjente dhe të cilët vendbanim të përhershëm kanë Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme.
Sipas kësaj ministrie për kthim nga Zvicra në Kosovë janë regjistruar 481 persona, 420 nga Gjermania, 259 nga Truqia, 116 nga Suedia dhe Finalanda, 61 nga Mbretëria e Bashkuar. Po, 61 u regjistruan për ë kthyer në Kosovë edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës; 58 nga Sllovenia, 46 bashkatdhetarë nga Franca dhe dhjetëra të tjerë nga vendet e tjera të botës.
“Bëjmë të ditur se kthimi në këtë kohë varet nga masat që janë marrë prej shteteve të ndryshme dhe kapacitetet që ofrohen për karantinim pas kthimit, meqë siç dihet tashmë, kushdo që aktualisht hyn në Kosovë, detyrohet që 14 ditë të qëndrojë i mbyllur në karantinën e caktuar nga institucionet përkatëse”, njofton kjo ministri.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, njofton se është duke punuar për kthimin e tyre në Kosovë në koordinim me ministritë e tjera, mirëpo kërkon mirëkuptim dhe durim nga qytetarët, pasi sipas tyre në këto kushte, mundësitë janë të kufizuara.
Andaj, kjo ministri apleon që ata/ato që mund të qëndrojnë në vendet ku ndodhen, të qëndrojnë atje ku janë, në mënyrë që, sipas MPJD-së, të mos rrezikojnë kthimin e rasteve emergjente, të atyre që nuk kanë mundësi të qëndrojnë jashtë vendit./GazetaSinjali/