image Mbi 100 persona kanë humbur jetën nga vërshimet në Gjermani

Evropë

Mbi 100 persona kanë humbur jetën nga vërshimet në Gjermani

news image

Numri i atyre që humbën jetën nga përmbytjet në pjesën perëndimore të Gjermanisë u rrit në 103. Gjashtëdhjetë viktima u raportuan në landin Rajnland Falc dhe 43 në landin fqinj, Nordrajn Vesthalen. Autoritetet paralajmërojnë se numri i viktimave mund të rritet ende.

Ekipet e shpëtimit janë duke vazhduar kërkimet për qindra njerëz të tjerë të zhdukur, njofton Gazeta Sinjali.

“Kam frikë se shkallën e plotë të katastrofës do ta shohim në ditët në vijim”, tha kancelarja gjermane, Angela Merkel, nga Washingtoni, ku qëndroi për një vizitë zyrtare.

Merkel premtoi mbështetje të plotë për të prekurit, duke thënë se Qeveria e saj nuk do ta lërë vetëm popullin “në këtë kohë të vështirë dhe të tmerrshme”.

Presidenti i Gjermanisë, Frank Walter Steinmeier, tha se do të udhëtojë në zonat e goditura.

Steinmeier e lidhi motin ekstrem me ngrohjen globale dhe tha se duhet të bëhet më shumë për mjedisin.

Rreth 15,000 policë, ushtarë dhe punonjës të shërbimit të urgjencës janë duke marrë pjesë në operacionet e kërkim-shpëtimit.

Helikopterët kanë nxjerrë banorët e bllokuar nga majat e çative, ndërsa tanket po pastrojnë rrugët nga pemët dhe mbeturinat e rëna, raporton Radio Evropa e Lirë.

“Askush nuk e ka pritur këtë – nga ka ardhur gjithë ky shi? Është çmenduri”, tha Annemarie Mueller, një banore 65-vjeçare nga qyteti i përmbytur Majen.

Kryeministri i landit Nordrajn Vesthalen, Armin Laschet, tha po ashtu se fajtor për motin ekstrem është ngrohja globale.

Ne do të përballemi me ngjarje të tilla pa pushim dhe kjo do të thotë se duhet t’i përshpejtojmë masat e mbrojtjes së klimës… sepse ndryshimi i klimës nuk është i kufizuar vetëm në një shtet”, tha Laschet.

Ne nuk e dimë ende shkallën e dëmit, por nuk do t’i lëmë vetëm komunitetet, njerëzit e prekur”, tha ai gjatë një vizite në qytetin e përmbytur Hagen.

Në frymë të ngjashme u shpreh edhe ministri i Brendshëm gjerman, Horst Seehofer. Gjermania “duhet të përgatitet shumë më mirë në të ardhmen, ky mot ekstrem është pasojë e ndryshimit të klimës”, shtoi ai.

Belgjika dhe Holanda janë goditur gjithashtu keq nga përmbytjet, ndërsa vërshime ka edhe në Luksemburg dhe Zvicër.

Autoritetet belge kanë raportuar për së paku 14 persona të cilët kanë humbur jetën.

Shira të furishëm parashikohen në të gjithë rajonin gjatë gjithë ditës së sotme. /GazetaSinjali/