image Mbesin në paraburgim dy vëllezërit nga Prizreni që dyshohen për shitblerje të drogës

Mbesin në paraburgim dy vëllezërit nga Prizreni që dyshohen për shitblerje të drogës

news image

Gjykata Themelore në Prizren ka vendosur t’ua vazhdojë masën e paraburgimit dy vëllezërve nga Prizreni, Flamur dhe Arianit Deliajn, të cilët u kapën në muajin janar me disa qese me drogë. Atyre do të qëndrojnë në paraburgim deri më 10 mars, raporton Gazeta Sinjali.

Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Sinjali zëdhënësi i Gjykatës Themelore në Prizren, Marcel Lekaj, i cili njoftoi se propozimi për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve ishte bërë më 07 shkurt.

“Gjykata Themelore në Prizren me datë 10.02.2022 ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për 30 (tridhjetë) ditë ndaj të pandehurve F.D., dhe A.D., ashtu që kjo masë mund të zgjasë deri më datë 10.03.2022 për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja ose shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge nga neni 267 par. 2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.”

Vendimi për vazhdimin e paraburgimit, sipas gjyqtarit, është bërë duke pasur parasysh edhe se dy të dyshuarit janë recidivistë të veprave tjera penale.

“Gjyqtari i rastit ka vlerësuar se kjo kërkesë është e bazuar, duke vlerësuar peshën e veprës penale, mënyrën dhe rrethanat në të cilat dyshohen se është kryer vepra penale, duke pasur parasysh edhe karakteristikat e tyre personale, ku të pandehurit përveç këtij rasti janë recidivist edhe për vepra tjera penale tipike të kësaj natyre.”

Sipas gjykatës, vazhdimi i paraburgimit është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm, ngase me lënien në liri të të dyshuarve ekziston rreziku i ikjes dhe arratisjes me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, apo i përsëritjes së veprave penale të ngjashme.

Dy vëllezërit u arrestuan nga Policia më 10 janar, ndërsa më pas gjykata ua caktoi masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./GazetaSinjali/