Ka mbërritur në Kosovë Artur Mrasori, pjesëtari i Policisë së Kosovës i cili muaj më parë u plagos rëndë në një aksion të policisë në fshatin Zhur të Prizrenit, raporton Gazeta Sinjali.
Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, i cili tha se Artur Mrasori dukej në gjendje të mirë shëndetësore.
Qalaj tha se mbështetja e policisë për zyrtarin policor Artur Mrasori do të vazhdojë.
“Ka mbërritur në orën 17:45, jemi takuar në aeroport. E kemi pritur stafi dhe familjarët, gjendja e tij shëndetësore dukej mjaft e mirë. Normalisht ishte i emocionuar për shkak të pranisë së familjes… Sipas familjarëve, ai do të ketë nevojë për kontrollim shëndetësor sistematik dhe besoj se Policia e Kosovës do ta vazhdojë mbështetjen”, konfirmoi Qalaj për Gazetën Sinjali.
Mrasori u plagos mbrëmjen e 28 janarit si pasojë e një shpërthimi gjatë bastisjes së shtëpisë së Iron Badallajt, në fshatin Zhur të Prizrenit, ku mbet i vdekur polici Sami Thaçi dhe u plagosën edhe kolegu i tij, Jetmir Hasanaj dhe një fëmijë i moshës rreth 9-vjeçare i familjes ku po bastisej shtëpia. /Gazeta Sinjali/