Afati i së hënës për Kylian Mbappe për të aktivizuar opsionin e zgjatjes së kontratës aktuale me Paris Saint-Germain tashmë ka skaduar.
Kjo do të thotë se marrëveshja e 24-vjeçarit me PSG-në tani do të përfundojë zyrtarisht në qershor 2024.
Mbappe po refuzon të tërhiqet nga klubi francez dhe tani mund të largohet si lojtar i lirë vitin e ardhshëm.
Megjithatë, PSG dëshiron të shesë Mbappe për disa para këtë verë për të mos e lënë të shkojë falas.
Këtë e ka konfirmuar eksperti i transferimeve të futbollit, Fabrizio Romano, të hënën mbrëma.
Romano shkroi në Twitter: “Asnjë kthesë e vonë në sagën e Kylian Mbappé – afati i 31 korrikut ka përfunduar dhe Mbappé nuk mund të aktivizojë opsionin për të zgjatur kontratën e tij me PSG deri në qershor 2025. Kontrata skadon zyrtarisht në qershor 2024 tani. PSG vazhdon të mendojë se ai ra dakord me Real Madridin – por Kylian mbetet në shitje”.
Mos-aktivizimi i klauzolës për rinovim nga Mbappe do t’i kushtojë PSG-së me 60 milionë euro, pasi do të detyrohet që ta shpërblejë francezin për një ‘bonus besnikërie’ siç ishte e paraparë nëse 24-vjeçari qëndron në PSG deri pas datës 1 gusht, raporton Sinjali Sporti.
Kujtojmë që klubi saudit Al Hilal bëri një ofertë prej 300 milionësh drejt PSG-së për Mbappen, kontratë e vlefshme vetëm për 1-sezon në mënyrë që francezi ta kompletojë më pas transferimin e tij të ëndrrave në Real Madrid në verën e vitit 2024.
PSG e pranoi menjëherë këtë ofertë, megjithatë kjo u refuzua nga vet lojtari, i cili pavarësisht se do të përfitonte rreth 700 milionë përgjatë 1-sezoni, ai vendosi ta hudhë poshtë këtë ofertë pasi dëshiron qëndrimin në Evropë.
Çka do të ndodhë në vazhdim me fatin e Mbappes?
Real Madrid mbetet dëshira e vetme e Kylian Mbappes. Madrilenët dëshirojnë të zgjidhin situatën e Kylian Mbappés në dy javët e para të gushtit përpara se të fillojë sezoni i ri i LaLiga-s, sipas ESPN, por ata ende presin që lojtari, ose klubi i tij Paris Saint-Germain, të bëjë lëvizjen e parë.
PSG e ka bërë të qartë se ata do të ishin të hapur për një marrëveshje këtë verë për të shmangur largimin e Mbappés si një transferim i lirë vitin e ardhshëm, por të dy klubet nuk kanë zhvilluar ende bisedime vetëm dy javë para fillimit të sezonit 2023-24 në Spanjë dhe Francë.
Madridi mbetet me shpresë, megjithatë, se klubi është gati të arrijë një marrëveshje nëse PSG tregon se është i gatshëm të hapë negociatat.
Gjigantët spanjollë janë të vetëdijshëm se një marrëveshje do të kushtonte mbi 200 milionë euro duke përfshirë variablat, dhe ata do t’i ofronin Mbappe-s një kontratë gjashtëvjeçare deri në vitin 2029. Madridi do të donte që kontrata e Mbappes të përputhej me atë të Jude Bellingham, i cili arriti këtë verë në një marrëveshje me vlerë 103 milionë euro plus 30% të tjera në variabla.