Parulla kundër Lëvizjes Vetëvëndosje janë shfaqur nëpër rrugët e kryeqytetit, pas fotos që u publikua ditë më parë në medie, ku shihej aktivisti i këtij subjekti, Xhelal Sveçla, duke pirë kafe me të ashtuaquajturin shefin për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, në kuadër të një konference rajonale.
Në këtë konferencë, kishte marr pjesë edhe lideri i kësaj partie, Albin Kurti.
Grafitet të cilat janë fotografuar nga një sinjalizues i Gazetës Sinjali në sheshin “Zahir Pajaziti” përmbajnë parullën “Jo Vetëvëndosje por negociata. Mashtrues dhe nënshtrues” si dhe fotografitë e Albin Kurtit, Xhelal Sveçlës dhe Marko Gjuriqit.
Mësohet se grafite të tilla janë shfaqur edhe në qytetet e tjera dhe janë pjesë e një ndërmarrje të përbashkët të organizuar.
Deri më tash nuk është bërë e ditur se kush i ka bërë këto grafite por që ato përçojnë mesazh politik , në kohën kur Albin Kurti pritet ta marr përgjegjësinë për drejtimin e Qeverisë së re të Kosovës, në bazë të rezultatit të dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit. /Gazeta Sinjali/