Kosovarët jo rrallëherë japin shuma të majme parash te personat jokompetentë për të kryer shërbime të ndryshme, të cilët më vonë rezultojnë të jenë vetëm mashtrues. Pre e një mashtrimi të tillë kanë rënë edhe dy anëtarë të një familje në Mitrovicë, të cilët morën premtimin nga një person se do t’ua rregullojë “punën” për një pronë në fshatin Koshtovë. Përveç që mbetën pa tokë, ata u bënë edhe qyl nga i dyshuari, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se hetimet lidhur me këtë rast kanë nisur pas denoncimit të një 20-vjeçari, i cili bashkë me xhaxhain e tij u mashtruan nga A.M.
Bazuar në dëshminë e tij dhënë organeve të hetuesisë, i riu kishte marrë premtime se i dyshuari do t’ua rregullonte dokumentet për një tokë në fshatin Koshtovë të Mitrovicës.
Mirëpo për këtë ai duhet të paguante para. Viktima ka pretenduar se i ka dhënë të dyshuarit mbi 7 mijë euro para.
Ndërkaq xhaxhait të 21-vjeçarit, i dyshuari ia ka marrë 13 mijë euro në lidhje me një depo të mbeturinave në të njëjtin fshat.
Me të parë se premtimi po mbetet bosh dhe nuk po realizohet, i riu është detyruar të kërkojë ndihmën e Policisë, ku para hetuesve ka dhënë detaje lidhur me atë se çfarë ka ndodhur.
Me urdhër të prokurorit rasti është iniciuar ‘Mashtrim’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapet i dyshuari.