image MASHT konfirmon dështimin për mungesën e teksteve shkollore, fajin ia hedh shtëpive botuese

Kosovë

Reagim/ MASHT konfirmon dështimin për mungesën e teksteve shkollore, fajin ia hedh shtëpive botuese

news image

Ministria e Arsimit më në fund ka reaguar lidhur me mungesën e teksteve shkollore të klasave të 10-ta dhe të 11-ta në shkollat e mesme, temë kjo e publikuar dje nga Gazeta Sinjali.

Zyrtarët e kësaj ministrie të cilët kishin heshtur për dy ditë rreth kësaj problematike duke mos u përgjigjur në pyetjet e dërguara nga redaksia e Gazetës Sinjali, kanë vendosur të flasin sot, tek pas publikimit të shkrimit të djeshëm kritik lidhur me injorimin që ky institucion që paguhet me taksat e qytetarëve bën ndaj publikut e sidomos ndaj nxënësve të cilët ende nuk kanë libra, ndonëse po përfundon java e tretë prej se ka nisur mësimi.

Gazeta Sinjali sqaron edhe një herë opinionin se para tri ditësh ka kontaktuar me këshilltarin politik në kabinetin e Ministrit të Arsimit, Valmir Gashin, i cili ka kërkuar që lidhur me këtë çështje t`i drejtohemi zyrës për informim. Ndërsa udhëheqësja e divizionit për komunikim publik në MASHT-it, Besa Bytyqi ndonëse kishte kërkuar që pyetjet t`i dërgohen me shkrim, nuk kishte kthyer përgjigje as pas dy ditësh duke mos e hapur më as telefonin.

Në reagimin e sotëm të MASHT-it është konfirmuar zyrtarisht ajo çfarë ka raportuar Gazeta Sinjali se tekstet shkollore ende nuk janë siguruar për nxënësit e klasave të 10-ta dhe 11-ta dhe për rrjedhojë ato nuk gjenden në treg.

Ministria e Arsimit e cila është përgjegjëse kryesore për tekstet shkollore ka dështuar t`i kryej me kohë obligimet e saj me kompanitë kontraktuese, në mënyrë që 1 shtatori të fillonte pa problemin e furnizimit me libra të rinj.

Fillimi i vitit shkollor edhe kësaj radhe e ka zënë MASHT-in në befasi, ndërsa nxënësit e klasave të 10-ta dhe 11-ta po hyjnë tashmë në javën e katërt të mësimit pa libra.

Në reagimin e sotëm, MASHT-i tenton ta heq përgjegjësinë nga vetja duke ua hedhur fajin shtëpive botuese për mungesën e librave në treg.

“Sa i përket klasës 10 dhe 11, Ministria nuk e ka obligim furnizimin e nxënësve me tekste shkollore. Por, duke qenë se për këto klasë, po ashtu janë përgatitur tekstet e reja, MAShT me kohë i ka lëshuar vendimet për shtëpitë botuese, për tekstet që kanë fituar të drejtën për botim. Prandaj, është përgjegjësi e shtëpive botuese që ta furnizojnë tregun me këto tekste”, thuhet në reagim.

Gazeta Sinjali ka raportuar dje se “mësimdhënësit e shkollave të mesme ende janë në hamendje se me çfarë librash duhet të shërbehen nxënësit. Për rrjedhojë ata nuk i kanë njoftuar nxënësit e as prindërit për tekstet shkollore që duhet t`i blejnë”.

Ky konfuzion i krijuar konfirmohet edhe nga vetë përgjigja e ministrisë së Arsimit, cila tenton ta kamuflojë dështimin për përgjegjësinë që ka për sigurimin e teksteve shkollore.

“Raportimi në media se mësimdhënësit e shkollave të mesme ende janë në hamendje se me çfarë librash duhet të shërbehen nxënësit, nuk qëndron, sepse MASHT ka publikuar listën përfundimtare të teksteve të reja shkollore (edhe për klasën 10 dhe 11), në faqen zyrtare të Ministrisë më datën 18 qershor 2019. Pra, që nga kjo datë, është e njohur për nxënësit, mësimdhënësit, prindërit dhe gjithë qytetarët se cilat tekste do të përdoren nga ky vit shkollor”, thuhet në reagimin e MASHT-it.

Por përkundër pohimit të MASHT se është publikuar lista e teksteve të reja shkollore, librat nuk kanë dalë në treg as 20 ditë pas fillimit të vitit të ri shkollor.

Si pasojë e krejt kësaj situate, nxënësit e klasave të 10-ta dhe 11-ta do të detyrohen të presin në afat të pacaktuar derisa të dalin në treg tekstet e reja shkollore.

Ashtu siç janë njoftuar nga mësimdhënësit, tekstet për këto klasë që janë përdorur vitet e kaluara nuk vlejnë më dhe ato nuk mund t`i blejnë përderisa janë në pritje të teksteve të reja shkollore të hartuara nga shtëpitë botuese me kërkesë të Ministrisë së Arsimit./Gazeta Sinjali/