Pas datës 1 korrik pritet të ketë masa lehtësuese për sektorin e hotelerisë, por gjithmonë duke u bazuar në situatën epidemiologjike.
Kështu tha përfaqësuesi i departamentit të estradës në Odën e Hotelerisë, Afrim Muçiqi.
Ai tha se për t’u rimëkëmbur ky sektor kërkohet edhe ndihma e shtetit.
“Është lajm i gëzueshëm për sektorin që ne përfaqësojmë dhe sadopak e ka kthyer shpresën e këtyre bizneseve që më në fund t’i kthehen një far lloj normaliteti pasi që masat janë më të mirat në rajon.”
“Në takimin e parë që kemi pasur me zyrtarët e qeverisë, jemi dakorduar që këtë manual deri me datën 1 korrik ta respektojmë varësisht prej rasteve epidemiologjikë në nivel vendi. Atëherë, shpresoj që me 1 korrik të kemi masa të tjera dhe të shkojmë drejt normalitetit”, tha ai për EO.
Ndërsa, për pakon e rimëkëmbjes e cila shumë shpejt do të prezantohet nga Qeveria, Muçiqi tha se duhet të jenë të përfshirë edhe këta të fundit dhe me një vlerë më të madhe jo nga ajo që ka qenë prej 170 euro për punëtorët.
“Unë mendoj që është dashtë që Ministria e Ekonomisë dhe e Financave të na kenë parasysh, mirëpo duhet të na kenë parasysh që të rritet kjo vlerë e rimëkëmbjes ekonomike”, shtoi ai./Gazeta Sinjali/