Portieri i Argjentinës, Emiliano Martinez, ka kritikuar yllin francez, Kylian Mbappe, pasi ky i fundit kishte folur për cilësinë e futbollit në Amerikën Jugore. Numri një i portës së argjentinasve tha se ylli i PSG-së nuk di mjaftueshëm për futbollin.
Mbappe gjatë muajit maj tha se kombet evropiane janë më të përgatitura për Kupën e Botës sepse luajnë “ndeshje të nivelit të lartë gjatë gjithë kohës” kundër njëri-tjetrit, ndërsa Argjentina dhe Brazili nuk përballen me të njëjtat kërkesa.
Martinez iu është përgjigjur mbrëmë këtyre deklaratave.
“Ai nuk di mjaftueshëm për futbollin. Ai kurrë nuk ka luajtur në Amerikën e Jugut. Kur nuk e keni këtë përvojë, mund të jetë më mirë të mos flisni për të. Por nuk ka rëndësi. Ne jemi një ekip i madh, i njohur si i tillë”, tha ai në një konferencë për shtyp.
Kujtojmë se Martinez nuk është i vetmi yll argjentinas që flet kundër komenteve të Mbappes.