“Marshojmë s’festojmë” këtë vit do të mbahet në 14 komuna të Kosovës nën sloganin ‘Patriarkati Vret’, transmeton Gazeta Sinjali.
Marshi kryesor mbahet në Prishtinë, kurse në komunat e tjera do të vendosen çarçafët në ndërtesat private dhe publike duke bërë thirrje kundër vrasjes dhe dhunës ndaj grave.
Ky marsh do të nisë nën tingujt e këngës së vjetër shqipe “Behari i Lirisë” i përshtatur nga Eli Krasniqi.
‘Shoqe dhe shokë, bashkë-aktiviste/ë, gra e vajza ju ftojmë që nesër, prej orës 12:00, të marshojmë krahas njëra-tjetrës e njëri-tjetrit, nën jehonën e këngës “Behari i lirisë”. Kjo këngë e vjetër shqipe, me tekst të përshtatur nga Eli Krasniqi, le të jetë zëri ynë i shpresës, përbashkimit e rezistencës tonë kolektive’, thuhet në njoftim.
Behari i lirisë
Këngë e vjetër shqipe me tekst të përshtatur nga Eli Krasniqi
- Dalngadalë po vjen behari,
dalëngadalë po na vjen
Po përmbyset patriarkati,
Liria vjen, liria vjen.
Ref:
Po na vjen, po na vjen
Bota zien, bota zien
S’ka pushtet që prapa ne na kthen
Ref:
Po na vjen, po na vjen
Bota zien, bota zien
Shtypjes suaj, fundi po i vjen - Çdo ditë t’lume, mëngjes herët
Qielli ngryset seç u nxi
Nuk durojmë ma padrejtësinë
Nuk durojmë, nuk durojmë.
Ref:
Nuk durojmë, do t’kërkojmë
Drejtësi dhe liri
Eni shoqe, në rrugë tani
Ref:
Nuk durojmë, do t’kërkojmë
Barazi dhe liri
Eni motra, në rrugë tani - Çonu t’gjitha na pret marshi
Po na pret, po na pret
Revolta jonë sot po jehon
Po jehon po jehon
Ref:
Eni shoqe dhe ju shokë
Tok e tok të marshojmë
Barazinë ne sot po e kërkojmë
Ref:
Eni shoqe dhe ju shokë
Të marshojmë tok e tok
Poshtë shtypja për jetë e mot