image "Marshojmë, s’festojmë" edhe në Mitrovicë

Kosovë

Dita e Gruas/ “Marshojmë, s’festojmë” edhe në Mitrovicë

news image

Dhjetëra grad he vajza kanë marshuar sot në qytetin e Mitrovicës me moton ‘Marshojmë, S’festojmë’, duke kërkuar të drejtat e tyre në Ditën Ndërkombëtare të Gruas.

Ky marsh protestues që u organizua nga disa organizata joqeveritare në bashkëpunim me komunën e Mitrovicës, ka vënë në pah kërkesat e përgjithshme të grave, duke kundërshtuar çdo lloj të padrejtësisë që shtrohet ndaj tyre.

Igballe Rugova, aktiviste e njohur për të drejtat e grave, tha se janë mbledhur sot të gjithë së bashku, duke përfshirë organizata, individë, djemë e burra, gra dhe vajza, por edhe fëmijë të vegjël, për një qëllim të vetëm, për të drejtat e grave.

“Marshojmë, s’festojmë do të thotë se jemi mbledhur të gjithë së bashku, organizatat, individët, djemtë dhe burrat, gratë dhe vajzat, edhe fëmijët e vegjël, për një qëllim të vetëm, për të drejtat e grave. Kështu ka nisur 8 Marsi. Dhe 8 Marsi tek ne kështu do të vazhdojë, duke kërkuar, sepse akoma nuk i kemi ato të drejta, por do të luftojmë bashkarisht, që t’i kemi këto të drejta një ditë. Unë mendoj se jemi rrugës së mbarë”, ka thënë Rugova.

Ylberina Peci, nga Rrjeti i grave të Mitrovicës, theksoi se gratë të bashkuara kërkojnë drejtësi gjinore dhe shoqërore në Kosovë.

“Marshuam sot sepse nuk kemi asgjë për të festuar. Të bashkuara ne kërkojmë drejtësi gjinore dhe shoqërore në Kosovë…Duke marshuar sot, kundërshtuam çdo lloj të padrejtësisë që shtrohet ndaj grave”, u shpreh Peci./GazetaSinjali/