Marrëveshja e kredisë mes Qeverisë së Kosovës, KOSTT-it dhe KFW, e cila synon përmirësimin për përmirësimin e rrjetit e transmetimit, përplasi sot pushtetin e opozitën. Madje, për miratimin e kësaj marrëveshjeje nuk pati as kuorum.
Derisa mazhoranca e ekzekutivi kërkuan mbështetje të kësaj marrëveshjeje ndërkombëtare, ishte PDK saktësisht deputetit i kësaj partie, Ferat Shala, i cili kërkoi të shtyhet miratimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë dhe projektit ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, KOSTT (Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu sh. a.) dhe KFW, Frankfurt Am Main (KFW) për Projektin -Zhvillimi i sektorit të energjisë VII – përmirësimi i rrjetit të transmetimit.
Votat e deputetëve për këtë marrëveshje ndërkombëtare i kërkoi ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, i cili tha se nga kjo marrëveshje qeveria do të marrë 25.5 milionë euro që do të shfrytëzohen nga KOSTT për përmirësimin e sistemit të transmisionit në Kosovë.
Mbështetje për këtë projekt dhanë edhe deputetët e mazhorancës.
Deputeti nga radhët e PDK-së, Ferat Shala u shpreh se kjo parti nuk do të marrë pjesë në votim të kësaj marrëveshjeje dhe kërkoi edhe shtyrje të shqyrtimit.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës për dy vjet qeverisje e ka futur në dy kredi KOSTT-in, prandaj kërkoi raport për rezolutën e kaluar në Kuvendin e Kosovës për mbulimin e shpenzimeve të devijimit për rrymën në veri.
Më pas, reagoi shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizja Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, e cila tha se PDK e ka sfiduar këtë rezolutë në Gjykatën Kushtetuese.
Ajo tha se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ka konstatuar se dallimet në trajtimin e konsumatorëve të energjisë elektrike në katër komunat e Kosovës ndjek një qëllim legjitim.
Ndërsa, në replikën e tij deputeti i PDK-së, Shala tha se ka dy vjet diskriminim dhe shkelje të mëdha.
Sqarime dha edhe ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili u shpreh se kërkesa për kredinë e dytë me KFW ka ardhur si kërkesë nga KOSTT-i.
Edhe pas kësaj përgjigje të ministrit Murati, i menjëhershëm ishte reagimi i deputetët të PDK-së, Ferat Shala, i cili tha se rezoluta e votuar në Kuvendin e Kosovës ka qenë gabim dhe skandal politik dhe financiar.
Ndërsa, ministri Murati tha se nuk ka nevojë të priten raporte të tjera se ka qartësi.
E shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri u shpreh në mungesë të votave të nevojshme marrëveshje për kredi nga KFW duhet të shtyhet./KP