image Mariupoli i mbuluar me mijëra kufoma, paralajmërohen epidemitë

Botë

Mariupoli i mbuluar me mijëra kufoma, paralajmërohen epidemitë

news image

Autoritetet lokale në Mariupol kanë paralajmëruar se qyteti është në rrezik prej epidemive duke pasur parasysh kushtet e tmerrshme sanitare në pjesën më të madhe të qytetit dhe faktin se mijëra trupa kanë mbetur të pa mbledhur.

Rreth 100.000 njerëz jetojnë ende në qytet, pavarësisht luftimeve të rënda prej disa javësh, si dhe mungesës së një furnizimi të centralizuar me ujë.

Të enjten, këshilli i qytetit tha se ekzistonte rreziku i kolerës, dizenterisë dhe Escherichia coli, një infeksion bakterial që mund të shkaktojë dhimbje të forta stomaku, diarre të përgjakshme dhe dështim të veshkave.

Këshilli tha se kishte kushte të pa tolerueshme jetese që do të përkeqësoheshin me rritjen e temperaturave.

“Tashmë temperatura e ajrit ka arritur në 20 gradë. Epidemi të fuqishme dhe vdekjeprurëse mund të shpërthejnë së shpejti në qytet, për shkak të mungesës së furnizimit të centralizuar me ujë dhe kanalizimeve, dekompozimit të mijëra kufomave nën rrënoja dhe mungesës katastrofike të ujit të pijshëm dhe ushqimit”.

Kryetari i bashkisë së Mariupolit Vadym Boychenko tha: “Pushtuesit nuk mund t’i sigurojnë popullatës ekzistuese ushqim, ujë dhe ilaçe. Ose thjesht nuk janë të interesuar për këtë. Ata bllokojnë të gjitha përpjekjet për evakuim. Dhe pa këtë, njerëzit do të vdesin. Tani në kushtet e rrënuara të jetesës mesjetare të Mariupolit duhet evakuim i menjëhershëm dhe i plotë.”

/GazetaSinjali/