Manchester City raportohet se ka shtuar përpjekjet për transferimin e objektivit kryesor në mesfushë, teksa klubi anglez po kërkon zëvendësuesin e Rodrit.
Epoka e re te “Citizens” ka nisur me Enzo Marescan në krye të skuadrës, pasi Pep Guardiola i dha fund aventurës së tij dhjetëvjeçare në fund të sezonit të kaluar.
Përforcimi i parë i Marescas ishte Elliot Anderson, i cili u transferua nga Nottingham Forest për një shifër rekord në futbollin anglez prej 116 milionë eurosh në fillim të korrikut.
Anderson kreu testet mjekësore gjatë kohës kur ishte i grumbulluar me Kombëtaren e Anglisë në Kupën e Botës, ndërsa më pas City zyrtarizoi edhe portierin Pierce Charles nga Sheffield Wednesday dhe talentin 16-vjeçar Jeremy Monga, i ardhur nga Leicester City.
Tani, sipas “The Athletic”, kampionët anglezë e kanë përqendruar vëmendjen te mesfusha dhe po intensifikojnë përpjekjet për transferimin e talentit të Lille, Ayyoub Bouaddi.
Mesfushori 18-vjeçar, i cili është produkt i akademisë së Lille, është një nga zbulimet më të mëdha të Kupës së Botës me Marokun, pasi vendosi të ndryshojë përfaqësuesen, duke lënë Francën vetëm disa javë para fillimit të turneut.
Bouaddi kontribuoi në ecurinë historike të Marokut deri në çerekfinale të Botërorit, ku skuadra u eliminua me rezultat 2-0 pikërisht nga Franca.
Për shërbimet e tij, sipas raportimeve, interesohen edhe disa klube të tjera angleze, përfshirë Arsenalin dhe Manchester Unitedin. Megjithatë, Manchester City besohet se ka një avantazh të rëndësishëm, pasi mund t’i ofrojë futbollistit minuta të menjëhershme në ekipin e parë.
Raportohet gjithashtu se fituesi i Ligës së Kampionëve, Paris Saint-Germain, nuk është i interesuar ta transferojë Bouaddin në këtë fazë, gjë që rrit shanset e klubeve të tjera për të siguruar firmën e talentit maroken.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!