image Majlinda Kelmendi për Lojërat Olimpike: Do ta bëj edhe më shumë krenare Kosovën

Sporte Luftarake

Xhudo/ Majlinda Kelmendi për Lojërat Olimpike: Do ta bëj edhe më shumë krenare Kosovën

news image

Gjatë javës së kaluar Komiteti Olimpik i Kosovës ka shpallur “Laureatët e viti 2019”, e ku dy më të mirët u shpallën pa dyshim xhudistët nga Peja, Majlinda Kelmendi dhe Akil Gjakova.

Vitin që lamë pas, të dy xhudistët sollën të tjera medalje për Kosovën, nga arena ndërkombëtare, duke ngritur flamurin e Kosovës në podium me shtetet e tjera të mëdha botërore.

Në një intervistë për KP, Majlinda Kelmendi foli rreth këtij çmimi si dhe tregoi synimet për të ardhmen e saj.

Ajo u shpreh se pavarësisht se ka fituar shumë çmime, prapë se prap ndjenja e gëzimit është e njëjtë për të.

“Gjatë karrierës sime kam fituar shumë trofe, shumë medalje, shumë mirënjohje, por pavarësisht asaj prapë kur nderohesh me çmime të bëjnë të ndihesh mirë për vet faktin se ndoshta punoj shumë dhe kur më shpërblehet puna, po mendoj se jo veç unë por secili njeri, gëzohet”, u shpreh fillimisht Kelmendi.

Sa i përket përgatitjeve për Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, mbretëresha e sportit në Kosovë, u shpreh se janë duke shkuar mirë dhe pret qysh në muajin e ardhshëm të fillon me garën e parë për këtë vit.

“Përgatitjet në përgjithësi janë duke shkuar shumë mirë, në vitin 2020 ende nuk e kam pasur asnjë garë, po besoj që në muajin e ardhshëm në Mars, të filloj me gara. Por fillimisht caku kryesor janë Lojërat Olimpike dhe atje shpresoj për më të mirën”, deklaroi ajo.

Për fund, megjithëse Majlinda njihet si sportiste që nuk jep shumë premtime, ajo potencoi se do të punojë shumë që t’i bëjë edhe më shumë krenarë tifozët dhe qytetarët e Kosovës.
/Gazeta Sinjali/