Xhudistja e mirënjohur kosovare, Majlinda Kelmendi nuk e ka përjashtuar mundësinë që të përfshihet në politikë pasi të pensionohet.
Kampionia e vetme Olimpike e Kosovës, nuk e ka caktuar ende ndonjë datë për pensionim, pasi që beson se kjo gjë do të varet nga gjendja shëndetësore dhe fizike e saj.
Megjithatë, Kelmendi tregon se pas pensionimit do të dëshironte t’i vazhdonte studimet për ta marrë diplomën Master, pasi që ka thënë se kishte tentuar të studionte edhe gjatë kësaj kohe, por ishte e vështirë për të si sportiste.
Synimi i saj është që të vazhdojë të angazhohet në botën e sportit, pasi që mendon të bëhet trajnere e xhudos, duke thënë se shpreson që Driton Kuka ta lejojë të bëhet fillimisht ndihmëse e tij.
“Nuk e di, ndoshta pas 20 vjetëve [do të merrem me politikë]. Kurrë s’i dihet jetës, por për momentin jo”, tha Kelmendi në emisionin sportiv “Favorit” në T7.