Pak e nga pak ”Made in China” po hyn në botën e luksit, falë markave kineze të modës së lartë, që po zënë rrënjë në Paris, në kryeqytetin e modës, duke përvetësuar një klientelë më ndërkombëtare.
E themeluar në Shangai, në vitin 1997, firma kineze “Icicle” numëron 270 dyqane në Kinë dhe një shifër të ardhurash prej 250 milionë eurosh.
“Icicle” hapi në shtator, në Paris, dyqanin e saj të parë ndërkombëtar, në zemër të “trekëndëshit të artë të luksit”.
“Është një trampolinë për ndërkombëtarizim tonë. Parisi është kryeqyteti i modës dhe qëllimi është që ta bëjmë markën të dukshme”, theksoi Isabelle Capron, përfaqësuesja e firmës kinezë, që u bë e njohur në Francë duke blerë shtëpinë e modës “Carven”, në vitin 2018.
Kredoja e “Icicle”? Vetëm materiale natyrore: kashmir, mëndafsh, pambuk, lesh, fije liri dhe ngjyra bimore: qepë, lëvore arre, lule isatis, çaj.
Rrobat fabrikohen në Kinë në tri fabrika në pronësi të firmës.
Uma Wang, Masha Ma, Yang Li, Jarel Zhang, shumë stilistë kinezë janë pjesë e kalendarit zyrtar të Javës së Modës në Paris, përkrah firmës nismëtare “Shiatzy Chen”, e ardhur në Paris në vitin 2009 dhe e para markë kineze që u vendos në shëtitoren e famshme Montaigne.
Pse në Paris?
“Sepse është djepi i modës dhe të paturit e një ateljeje atje na lejon të eksplorojmë teknikat perëndimore të rrobaqepësisë dhe, gjithashtu, të jemi në zemër të tendencave të fundit”, tha Wang Chen Tsai-Hsia, themeluesi i “Shiatzy Chen”.
Megjithatë, edhe sot e kësaj dite, veshjet e stamposura “Made in China” mbeten sinonim i një cilësie mediokre për shumë konsumatorë francezë e europianë./Gazeta Sinjali/