image Macron zhvillon biseda të ndara me Zelenskyn dhe Putinin

Botë

Macron zhvillon biseda të ndara me Zelenskyn dhe Putinin

news image

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka zhvilluar biseda të ndara telefonike me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe atë rus, Vladimir Putin, rreth kushteve të nevojshme për një marrëveshje të armëpushimit, tha Presidenca franceze.

Në deklaratën e lëshuar më 22 mars, Pallati Elize tha se “nuk është arritur marrëveshje”, por Macron “vazhdon të jetë i bindur për nevojën e vazhdimit të përpjekjeve të tij” dhe se ai “qëndron përkrah Ukrainës” në betejën kundër pushtimit rus.

Pallati Elize tha se në bisedën midis Macronit dhe Putinit u bisedua për “kushtet e sigurisë dhe për çështjet thelbësore”, por nuk u dhanë detaje të tjera.

Rusia ka konfirmuar se Putini ka biseduar me Macronin. Moska ka thënë se dy liderët kanë shkëmbyer pikëpamjet e tyre lidhur me situatën në Ukrainë dhe për bisedimet midis negociatorëve rusë dhe ukrainas. As Rusia nuk ka dhënë detaje të tjera të kësaj bisede.

Macron është një prej liderëve më aktivë perëndimorë në zhvillimin e bisedave telefonike me Putinin dhe Zelenskyn, që prej nisjes së pushtimit të paprovokuar rus të Ukrainës më 24 shkurt, raporton REL.

Ai i është bashkuar partnerëve perëndimorë në mbështetje të Kievit dhe ka vendosur sanksione të ashpra ndaj Qeverisë ruse dhe shumë entiteteve dhe individëve rusë.

Presidenti francez ka vizituar Moskën dhe Kievin në fillim të shkurtit, para se Rusia të niste pushtimin e Ukrainës.

/GazetaSinjali/