Presidenti i Francës Emmanuel Macron, e ka përshkruar NATO-n si “të vdekur në tru” dhe tha se garantuesi i saj kryesor, SHBA-ja, e ka zvogëluar përkushtimin ndaj aleancës transatlantike.
Macron duke folur në një intervistë për gazetën Economist, përmendi “dështimin e SHBA-së” për t’u konsultuar me NATO-n përpara se të tërhiqte trupat e saj nga veriu i Sirisë.
Ai poashtu pyeti nëse NATO-ja vazhdon të jetë e përkushtuar ndaj mbrojtjes kolektive.
“Ajo që ne po përjetojmë tani, është vdekja e trurit të NATO-s“, tha Macron.
Ai i paralajmëroi anëtarët evropianë të NATO-s se nuk mund të mbështeten më te SHBA-ja për të mbrojtur aleancën, e cila është krijuar në fillimin e Luftës së Ftohtë për të forcuar sigurinë e Evropës Perëndimore dhe të SHBA-së.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, një aleate kryesore, tha se nuk pajtohet me “fjalët e ashpra” të Macronit. Ndërsa, NATO-ja u përgjigj duke thënë se aleanca mbetet e fortë.